17:40 / E Martë, 27 Shtator 2022 / Gjelbrim

Fillon krijimi i Kombëtares U15 për vajza, kryhet faza e parë e seleksionimit

Në kuadër të strategjisë së re dhe masovizimit të futbollit, një nga prioritetet e FFK-së është edhe formimi i Kombëtares U15 për vajza.

Për këtë qëllim gjatë dy ditëve të fundit në Kampin Nacional në Hajvali ka filluar seleksionimi i lojtareve të kësaj grupmoshe, të cilat në të ardhmen do të kenë mundësi ta veshim fanellën dardane dhe ta përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në turnetë ndërkombëtare edhe në këtë grupmoshë.

Në grumbullimin dyditor morën pjesë mbi 60 futbolliste të ftuara nga të gjitha ekipet në Kosovë, derisa me këto vajza punuan stafi i trajnereve në përbërje: Sanije Krasniqi, Albina Rrahmani, Xhemile Berisha, Blerta Kaçiu, Tina Kallaba dhe Diellza Musa (trajnere portiereve), teksa nga afër tërë procesin e seleksionimit e ndoqi anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi.

Fillimisht është bërë përzgjedhja e listës së gjerë prej 30 lojtareve, derisa më pas kjo listë do të ngushtohet në 20 lojtare, të cilat do ta përfaqësojnë Kombëtaren U15 në turneun zhvillimor të UEFA-s, që do të mbahet në Shkup, prej 16 deri më 22 tetor.

Krijimi i Kombëtares U15 u jep mundësi talenteve që qysh në këtë fazë të jenë pjesë e ekipeve zinxhirë të kombëtares, njëherësh krijon lidhshmëri të gjeneratave dhe u jep trajnerëve më shumë alternativa në të ardhmen për ekipet e grupmoshave nën 17-vjeç dhe nën 19-vjeç.