Fillon rrënimi i lokaleve te Liqeni i Batllavës
Ka filluar aksioni i rrënimit të Lokaleve te Liqeni i Batllavës në Orllan të Podujevës. Objektet që do të rrënohen përfshihen në Zonën e parë, përkatësisht objektet të cilat janë të vendosur 10 metra afër Liqenit të Batllaves. MMPH u kishte dhënë afat prej shtatë ditëve pronarëve të lokaleve për t’i tërhequr ato, gjë të cilën nuk e kanë bërë.
Pas afatit që kishte dhënë ministria, banorët e fshatit Orllan kishin dërguar kërkesën me peticion të nënshkruar nga 320 banorë, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të MMPH-së lidhur me rrënimin e objekteve që gjenden përreth Liqenit të Batllavës, gjë e cila doli të jetë e kotë.
Vendimi për rrënimin e këtyre lokaleve ka ardhur pas inspektimeve në terren nga Inspektorati i MMPH-së, të cilët kanë konstatuar se subjektet që kanë ndërtuar pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës nuk i janë përmbajtur vendimit të vitit 2017 për largimin e tyre./Indeksonline/