10:30 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / AR

Filmi viral ‘Cocaine Bear’ bazohet në një histori të vërtetë

Nëse e keni parë trailerin e “Cocaine Bear” që është viral në rrjete sociale, mund të keni pyetje në lidhje me pretendimin e filmit se ai është “i frymëzuar nga ngjarje të vërteta”. Po, është e vërtetë (pothuajse).

Filmi, i cili do të publikohet në shkurt 2023, ka si regjisore dhe bashkëproducente Elizabeth Banks. Në film, një ari kryen shumë sulme pasi konsumoi kokainë. Në jetën reale, historia ka një fund më pak të bujshëm: Ariu u gjet i ngordhur në Pyllin Kombëtar Chattahoochee, Giorgia.

Në nëntor të vitit 1985, një ari hëngri një qese me 34 kilogramë kokainë 95% të pastër, me vlerë 15 milionë dollarë. Mjeku që bëri autopsinë zbuloi se shkaku i vdekjes ishte: “Hemorragji celebrale, bllokim i frymëmarrjes, hipertermi, mosfunksionim i veshkave, ndalje e zemrës, goditje në tru”. “Barku i tij ishte i mbushur me kokainë,” tha ai. “Nuk ka asnjë gjitar në planet që do të kishte mbijetuar”.

Rezultoi se njeriu që la kokainën në pyll ishte Andrew Thornton, një oficer i korruptuar që ishte bërë kreu i një operacioni ndërkombëtar të kontrabandës së drogës. Megjithëse ai u arrestua për herë të parë në vitin 1981, policia e la të lirë me shpresën se do t’i çonte drejt figurave më të fuqishme të lidhura me tregtinë e drogës, ndoshta edhe zyrtarë të qeverisë.

Teksa transportonte kokainë me aeroplan katër vjet më vonë, vuri re probleme me motorin. I frikësuar, hodhi sa më shumë kokainë nga dyert e aeroplanit dhe pastaj u hodh me parashutë. Por parashuta nuk u hap siç duhet dhe Thornton vdiq disa kilometra larg, me 31 kilogramë kokainë me vete, mijëra dollarë dhe tre armë.

Në film luan i ndjeri Ray Liotta në rolin e tij të fundit para se të ndërronte jetë, si dhe aktorët Keri Russell, O’Shea Jackson Jr., Christian Convery-Jennings, Alden Ehrenreich dhe Jesse Tyler Ferguson.

Mbetet për t’u parë se si do të pritet filmi “Cocaine Bear”, të cilin ne do të kishim sugjeruar ta titullonin “Pablo EscoBEAR”.