20:08 / E Enjte, 01 Korrik 2021 / C E

Financat e Barcelonës mbajnë peng kontratën e re të Messit

Financat e dobëta të Barcelonës janë bërë pengesë e madhe për të bërë që Lionel Messi të nënshkruajë një kontratë tjetër, sipas presidentit të klubit spanjoll Joan Laporta.

Messi prej të enjtes edhe zyrtarisht më nuk është lojtar i Barcelonës, pasi i ka skaduar kontrata. Kjo erdhi 16 vjet pasi sulmuesi nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me klubin që ai u bashkua në moshën 13-vjeçare. Laporta ka vazhduar të flasë me një ton optimist, por të kujdesshëm kur u pyet nëse është afër për ta bindur Messin që të qëndrojë në “Camp Nou”. Laporta ishte president i klubit kur një adoleshenti Messi bëri shpërthimin e tij. Ai u kthye për të drejtuar klubin në mars të këtij viti, pasi i fitoi zgjedhjet me premtimin se do të përdorte marrëdhënien e tij të mirë me Messin për ta bërë atë të mbetet në klub. Të mërkurën vonë, Laporta i tha një emisioni të popullarizuar sportiv se marrëveshja me Messin po mbahet peng vetëm për shkak të rregullave strikte financiare të ligës spanjolle.

“Ne duam që ai të qëndrojë dhe Leo dëshiron të qëndrojë, gjithçka po shkon mirë”, i tha Laporta radios “Onda Cero”. “Ne ende duhet të merremi me çështjen e ferplejit. Ne jemi në proces të gjetjes së zgjidhjes më të mirë për të dy palët”.

Shënuesi kryesor i të gjitha kohërave te Barcelonës, aktualisht është në Brazil duke udhëhequr Argjentinën në Copa America. Financat e Barcelonës pësuan një goditje të madhe sezonin e kaluar, kur situatën e përkeqësoi edhe më shumë pandemia, ku të ardhurat e klubit pësuan rënie të madhe.

Kur Laporta u kthye në pushtet, ai trashëgoi një klub të ngarkuar me borxh në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh dhe kontrata të majme që ish-presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu u dha lojtarëve, përfshirë Messin. Kontrata e mëparshme e Messit, e nënshkruar në vitin 2017, i dha atij 138 milionë euro. Laporta ka thënë se Messi është i gatshëm të bëjë një ulje të konsiderueshme të pagës, por edhe kështu, klubi me sa duket po ka vështirësi. Laporta kohët e fundit tha se financat e Barcelonës “ishin më keq sesa i kishte imagjinuar”. Ai tha se lista e pagave plus pagesat e tjera arritën në 650 milionë. Liga spanjolle uli kufirin e pagave për Barcelonën nga 671 milionë euro për sezonin 2019/20 në vetëm 383 milionë euro për edicionin e fundit. Një kufi i ri për pagat pritet të bëhet publik në javët e ardhshme.

Ndërsa 34-vjeçari Messi është akoma lojtari më i mirë i ekipit, lojtarët e tjerë për të cilët klubi ka shpenzuar shumë gjatë viteve të fundit kanë prodhuar rezultate të përziera. Pagat e tyre të larta tani i bëjnë të vështirë transferimin e tyre në klube të tjera. Siç tha Laporta kohët e fundit për gazetën La Vanguardia, “pagat e lojtarëve të Barcelonës nuk janë të krahasueshme me ato të klubeve të tjera”.