23:53 / E Martë, 10 Gusht 2021 / C E

Fjalët e para të Messit si lojtar i PSG-së: Gjithçka te ky klub përputhet me ambiciet e mia

Lionel Messi është zyrtarizuar si lojtar i Paris Saint-Germainit, ku do ta bartë fanellën me numrin 30-të.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi francez bëri të ditur se superylli argjentinas e ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.

Ndërkaq, vet 34-vjeçari tashmë i ka thënë fjalët e tij të para si lojtar i PSG-së duke shpresuar të ndihmojë për të ndërtuar diçka të veçantë për klubin dhe tifozët.

“Jam i ngazëllyer që do të filloj një kapitull të ri të karrierës sime te Paris Saint-Germaini. Gjithçka te ky klub përputhet me ambiciet e mia të futbollit”.

“E di se sa e talentuar është skuadra dhe stafi i trajnerëve këtu. Jam i vendosur që të ndihmoj për të ndërtuar diçka të veçantë për klubin dhe tifozët”.

“Mezi pres që të hyj në fushë në Parc des Princes”, janë fjalët e para të Messit si lojtar i PSG-së.