17:14 / E Hënë, 11 Prill 2022 / AR

Fjalimi i Ardita Sinanit para shkarkimit nga detyra e kryetares së Preshevës

Ardita Sinani ka ndarë fjalimin e saj me rastin e votimit të shkarkimit të saj nga detyra e kryetares së Preshevës.

Në fjalën e saj ajo i është drejtuar Sami Salihut dhe Shqipërim Arifit, duke i thënë se janë bërë turp i botës e turp i kombit, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

FJALIMI IM I SOTËM ME RASTIN E VOTIMIT PËR SHKARKIMIN TIM NGA DETYRA E KRYETARES SË KOMUNËS

Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,

Të respektuar Këshilltarë Komunalë,

Të nderuara media,

Sot, pasi dështuam kolektivisht duke mos arritur të zgjedhim asnjë deputet, në kohën kur pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve ka marrë përmasa të tmerrshme, në kohën kur qytetarët tanë presin nga ne përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta ekzistenciale, dy njerëz kanë vendosur ta shkarkojnë pushtetin komunal në Preshevë.

Sami Salihu dhe Shqipërim Arifi.

Në krejt këtë situatë të rëndë politike dhe ekonomike në Preshevë dhe në Serbinë autoritare të Vuçiqit, të rrezikuar tashmë edhe në paqartësitë e sigurisë rajonale për shkak të pasojave të mundshme të pushtimit rus të Ukrainës, Shqipërim Arifi dhe Sami Salihu kanë identifikuar problemin kryesor: Mua.

Pra, Sami Salihu ka vendosur t’i bashkohet Shqipërim Arifit për të më shkarkuar. Pa e plotësuar ende një vjet nga Marrëveshja jonë e Koalicionit për 4 vjet qeverisje, të firmosur nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Reforma dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Po i njëjti Sami Salihu që thoshte në këtë foltore para pak mujash se nuk tradhëton marrëveshjet që firmos, se në çdo rrethanë do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes.

Pra përsëri po i njëjti miq të dashur. Sami Salihu vendosi të jetë edhe një herë ai i cili po shkëput para kohe kontratën që firmos. E katërta herë? E pesta? E gjashta? Sa u bën Sami se s’po i mbajë në mend prej se ke nisur me prishur pushtete, se s’po më kujtohen? Më shpesh po prish pushtetet se që i ndërron çorapat.

Sidoqoftë, ke mundur të jesh më i guximshëm, nëse e ke problem me qenë i sinqertë. S’ke pasur nevojë me u shtirrur vazhdimisht duke ju thënë të hënave partnerëve se s’ke asnjë vërejtje, e të martëve me ju dërguar mesazh se po e prish koalicionin.

Ke mundur së paku të bëhesh i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, e sidomos ndaj votuesve të Lëvizjes për Reforma, që nuk pate guxim me ju treguar publikisht se pse ke vendosur me kthyer Shqipërim Arifin në pushtet?

Hajde neve, mua dhe z.Ragmi Mustafa, që na njoftove përmes një mesazhi privat në Wats’up, por qytetarëve dhe votuesve të Lëvizjes për Reforma? Pse s’pate guxim Sami? Pse tinëza, fshehtë. Prej kujt po frikësohesh Sami? Trego, hapur.

Sidoqoftë, atë që s’guxoi ta bëjë Samia me qytetarët dhe votuesit e tij, po e bëjë unë në emrin e tij.

Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës, të respektuar votues të Lëvizjes për Reforma, e ju këshilltarët e saj,

Sami Salihu ka vendosur ta kthejë Shqipërim Arifin në pushtet, për siç thotë gjendjen e krijuar në zgjedhje parlamentare me dy lista shqiptare, që sipas tij qenka përgjegjësi ekskluzive e kryetarit të PVD-së.

Samia po na thotë se s’ka ekzistu deri më 4 prill. Që s’ka qenë i përfshirë dhe s’ka asnjëlloj përgjegjësi se kemi përfunduar me dy lista dhe pas asnjë deputet. Veç kur u zgju në mëngjes dhe kur e ka pa se janë dy lista zgjedhore dhe se emri i tij ka qenë në njërën listë. Në listën e Shqipërimit.

E në zgjimin e tij pas gjumit të gjatë, Samia e ka kuptuar se ai dhe Shqipërimi kanë pësuar debakël zgjedhor nga populli.

Pastaj pasi kanë identifikuar Shaip Kamberin si fajtor vendosën me u hakmarrë ndaj meje dhe Ragmi Mustafës.

Çfarë rrëfimi i bukur! Besoni o popull!

Tash dështakët duan të kthehen në fitues. Me gishta të këshilltarëve natyrisht, se në popull s’bëhet fjalë me u kthy. Prej popullit po ikin, po i fikin edhe telefonat.

Po ja kuptoj përpjekjen me paraqitur kështu rastin. Me marrë pretekst Shaip Kamberin. Diçka duhet të thoni për planin tuaj.

Fundja, nëse e kishit për qëllim zgjedhjen tuaj për deputet dhe t’i përfaqësoni shqiptarët në parlament, pse tash po i vërsuleni Komunës së Preshevës pasi dështuat atje?

Por, realisht, skenari ishte i qartë. Aktorët po ashtu. Regjisori kush e di?

Së pari të pamundësohet rizgjedhja e Shaip Kamberit për deputet. E dihet kujt i pengonte më së shumti Shaipi. Së dyti ta përmbytni pushtetin në Preshevë.

Ndarje torte. Pushtet në Beograd, pushtet në Komunë.

E kujt i përshtatet, po e kuptojmë çdo ditë e më tepër.

Por ja që populli ju tho JO për Beograd. Po ju thotë JO edhe për Komunë. Prandaj, s’po guxoni me shkuar në zgjedhje. Por po doni me gishta këshilltarësh.

Unë e kuptoj Shqipërim Arifin. E ka të rëndësishme kthimin në pushtet për të mbijetuar. Këtë vit, as 3500 vota nuk i mori emri dhe mbiemri i tij nga shqiptarët. Rënia e tij nuk ka të ndalur. Megjithatë, infuzionin kush ia dha? Po ia jep Samia. Ky rikthim i tij është fitore e Pirros.

Por, Shqipërimi i dobësuar nuk arrihej të kthehej pa një insajder të brendshëm.

Ai u gjet te Sami Salihu.

Po kush tjetër. Ky lojtar historik përcaktues i prishjes së pushteteve me një grusht votash që shfrytëzon antagonizmat e partive të mëdha. I vetëmenduari strateg. I vërteti destruktiv.

Tradhëto Ragminë, tradhëto Arditën, tradhëto Shqipërimin, tradhëto Arditën dhe Ragminë. ShQipërim, ta gëzosh tradhëtinë e radhës. Pas qafe e ke.

Por sot një pikëpyetja ka mbetur pezull. Arsyeja e vërtetë se pse Sami Salihu ka hyrë në këtë lojë? Kush e nxiti? Se arsyen zyrtare të Shaip Kamberit, as një fëmijë i vogël nuk e beson. Madje s’duket të jetë as ambicia e sëmurë për pushtet. Samia ka 50% të pushtetit tash me vetëm 5 këshilltarë.

Kaq e ka kompleksuar arsyeja e vërtetë, saqë Samia nuk i del askujt përpara. As votuesve të tij. As bashkëfshatarëve të tij. As qytetarëve. E madje as Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Fort në siklet duhet me qenë njeri mos me ju përgjigjur ftesës për takim Kryeministrit tē Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, Sami Salihu është në të drejtën e tij të vendos për rrugën e tij politike.

Është në të drejtën e tij ta kthejë Shqipërim në pushtet.

Por këtë Samia dhe Shqipërimi janë duke e bërë duke i ikur popullit.

Se e dijnë të vërtetën. Se çfarë mendon sot populli për ta.

Se i kanë mashtruar duke ia marrë votat për tjetërçka më 2021 dhe po i përdorin për tjetërçka më vitin 2022.

Ky pushtet që po krijohet sot është pushtet nga lartë. Pa vullnet nga poshtë.

Prandaj, populli është sot shumë i mllefosur. Nga këta politikanë që realizojnë pazare të interesave të huaja për interesa të tyre private në kurriz të popullit të tyre.

Vendosin pa pikë ndjesie e përgjegjësie ndaj qytetarëve me rrëzuar një qeverisje të mandatuar nga populli.

Në njërën anë të diskriminuar dhe të shtypur nga Serbia e në tjetrën të përballur me një politikë lokale shqiptare skajshmërisht të papërgjegjshme, ky popull nuk e meriton këtë politikë.

Është koha të kthjellemi. Jemi bërë trup i botës. Turp i kombit.

Prandaj ju thërras që sot t’i themi JO pazareve të Shqipërim Arifit dhe Sami Salihut duke votuar kundër shkarkimit tim.

Kjo jo për mua, por si ndëshkim ndaj kësaj mënyre për të bërë politikë. Ndaj tuxharëve politik.

Pasi t’i themi JO këtij shkarkimi të pazareve të dy njerëzve, ju ftojë të shkojmë në zgjedhje.

Te populli. Gjithë. Bashkë.

Kjo legjislaturë po shtrëmberohet sot dhe ky pushtet nuk do të dalë nga kriza institucionale.

PVD, PDSH, LR dhe UDSH kanë marrë vota për tjetërçka.

APN ka marrë vota për tjetërçka.

SNS dhe SPS kanë marrë vota për tjetërçka.

Edhe Hamdija ka marrë për tjetërçka.

Është e drejtë të ndërrojmë mendje në rrugë e sipër, por për këtë qëndrim të ri duhet ta kërkojmë mandat të ri.

Vullneti popullor është tjetërsuar tashmë.

Ta rimarrin.

Mandatohuni. Pastaj qeverisni.

Mos iu frikësoni popullit tuaj!

Mos i shërbeni interesave të huaja!

Faleminderit për vëmendjen, suksese dhe punë të mbarë!