15:04 / E Martë, 25 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

“Fjalor i medieve, pasqyron pasurimin e madh që i vjen gjuhës nga ana e publicistikës”

Libri i prof. Dr. Qemal Muratit “FJALOR I MEDIEVE” (Fjalëkrijime të reja, huazime leksikore  dhe kalke në mediet shqipe), i sapobotuar në Shkup

Prof. dr. Rami MEMUSHAJ

Parathënia e librit. Teknologjia e sofistikuar ka rritur ndjeshëm edhe numrin e medieve dhe llojet e tyre, si të atyre të shkruara, ashtu dhe të atyre të folura: të radios, televizionit, gazetës, librit, internetit. Në tregun medial të botës shqiptare tashmë kemi një mori shtëpish botuese dhe një armatë të tërë publicistësh, gazetarësh, përkthyesish, opinionbërësish, të cilët sjellin në gjuhën e tyre edhe prurje të bollshme fjalëkrijimesh dhe huazimmarrjesh të reja leksikore e sintaksore, që nuk i kishim më parë, e që janë një pasuri e madhe për gjuhën.

Gazetat, revistat dhe mediet elektronike: Albania, Shekulli, Koha Jonë, ABC, Ballkan, Gazeta Shqiptare, Panorama, Sot, Tirana Observer, Rilindja Demokratike, Shqip, Telegraf, Zëri i Popullit; Top Channel, TV Klan (të Tiranës), Koha Ditore, Bota Sot, Zëri, Epoka e Re, Kosova Sot, Lajm Ekskluzive, Expres, Iliria, Pavarësia News, Info; RTK, KTV, TV 21 (të Prishtinës), Fakti, Koha, Lajm, Alsat-M (Shkup), etj. janë vetëm disa nga institucionet që kanë krijuar një xhungël mediatike, në të cilat flitet dhe shkruhet me një pështjellim gjuhësor, ku vërehen dukuri të redondancës semantike dhe shkarje të ndryshme të normës, shabllone të ngurosura, fraza boshe dhe të mbingarkuara, përsëritje të mërzitshme, fraza alogjike, por sjellin dhe pasuri leksikore dhe shprehje që i vlejnë fjalorit.

Duke ndjekur për një kohë disavjeçare gjuhën e medieve, kam vënë re se gjuhës i vjen një pasurim i madh leksikor nga kjo anë e publicistikës. Prandaj këtë pasurim jam përpjekur ta evidentoj për çdo ditë në formë të një fjalori, që po ia paraqesim lexuesit dhe studiuesit si “Fjalor i medieve”.

Si një fjalor i parë i tillë te ne,  natyrisht nuk mëtoj të kem arkivuar gjithë fjalësin që kanë krijuar mediet dhe kanë vënë në qarkullim këta dhjetëvjeçarët e fundit, por vetëm një pjesë të vogël të tij, i cili sigurisht do të jetë një lëndë që mund t`i hyjë në punë gjuhës dhe fjalorit standard të shqipes. Leksiku i medieve është një burim i pashtershëm për plotësimin e fjalorit shpjegues të shqipes, prandaj ka nevojë të hartohen edhe Fjalorë të tjerë të medieve në të ardhmen, si ky që kemi gatitur për shtypje.

Fjalëkrijimet me mjete të ndryshme të shqipes, me para- e prapashtesa e me përngjitje, me risemantizim etj., që kanë krijuar publicistët, gazetarët, politikanët, shkrimtarët, letrarët etj. kohët e fundit, janë një pasuri e madhe dhe e pallogaritshme për leksikografinë shqiptare, që gjuha jonë të mos mbesë në vjetëritë e saj, por të bëhet edhe kjo një gjuhë moderne si shoqet e saj evropiane. Ajo që vihet re më së shumti në ligjërimin e politikanëve, analistëve, medieve etj. është përdorimi i shpeshtë i neologjizmave ose dhe i huazimeve, të cilat në një vëzhgim psikolinguistik dhe sociolinguistik, janë refleksion natyral i një realiteti politik të ardhur dhe të formësuar brenda politikës shqiptare.

Ky fjalor neologjizmash përfshin një korpus të përfillshëm fjalëkrijimesh të fushave të ndryshme të leksikut konkret e abstrakt, kund nja 1060 fjalë e shprehje të reja (neologjizma), mbi 750 fjalë dhe shprehje idiomatike të hyra këto kohët e fundit nga anglishtja e italishtja, dhe rreth 130 shprehje të kalkuara, dhe si i tillë do t`u vijë në ndihmë glotologëve në lëmë të shqipes për të ndriçuar probleme gjuhësore të tipave të ndryshëm të fjalëformimit. Me këtë vepër besojmë t’ia kemi dalë t`i shtojmë edhe një zë leksikografisë shqiptare dhe të hedhim bazat e një leksikografie të re në fushë të neologjisë.

Fjalësia e gjuhës shqipe me këtë vepër fiton shumë fjalë dhe shprehje të reja që nuk i kanë pasur më parë  glosarët tanë, si: Bacë i dijes, besimmospasje, besnikministër, besojmës, buresë (burim), çimkë (përgjues), ditëmuaj, frymëmerr, gjinekologji politike, krimministër, nënopull (popull me identitet gjysmak) etj.

Ky fjalor na dëshmon se mundësitë potenciale të gjuhës shqipe për formimin e fjalëve me vlera të reja semantike e stilistike janë të mëdha, por duhet një dorë e kujdesshme që t`i vargëzojë a tufëzojë në fjalor. Hartimi dhe botimi i këtij fjalori shpresojmë se do të jetë një nxitje në të ardhmen edhe për autorë të tjerë,  që ta çojnë këtë punë edhe më përpara, të mbledhin e të arkivojnë atë lëndë të re gjuhësore që po krijohet për çdo ditë. Shqipja është një gjuhë që po zhvillohet dhe po e përballon mirë trysninë e gjuhëve të mëdha. Sipas një studimi të thjeshtë, në gjuhën shqipe thuajse shtohet një fjalë e re çdo ditë.

(RECENSION I VEPRËS SË PROF. QEMAL MURATIT “FJALOR I MEDIEVE”)

Prof. Qemal Murati po i paraqitet lexuesit me këtë vepër gjuhësore të re dhe origjinale, që është fryt i vëzhgimeve të tij shumëvjeçare mbi gjuhën e medieve të shkruara dhe elektronike. Pas ndryshimeve politike që përfshinë hapësirat shqiptare, lulëzoi një publicistikë e larmishme nga format e shprehjes dhe e shumtë për nga numri – dhjetëra e dhjetëra gazeta e revista, televizione e radio, si dhe rrjete të shumta sociale – që ka sjellë një qarkullim të paparë të fjalës shqipe të shkruar dhe të folur. Si pasojë e kësaj veprimtarie, leksiku i shqipes është pasuruar ndjeshëm me fjalë të reja të krijuara me brumin e saj, me gjysmëhuazime e huazime, është pasuruar inventari i mjeteve shprehëse dhe sintaksa e shqipes.

Për vetë natyrën e saj, media i ngjan një treni të shpejtësisë së lartë, që do të thotë se informacioni (lajm, kronikë, opinion etj.) duhet përcjellë brenda një kohe shumë të shkurtër te lexuesi a dëgjuesi. Kështu që mundësia për kontrollin e cilësisë gjuhësore të tij është më e paktë, aq më tepër që redaksitë nuk kanë obligime ligjore për kontrollin e  gjuhës me korrektorë e monitorues. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, shkeljet e normave gjuhësore dhe e kërkesave për pastërtinë e gjuhës janë të shumta dhe tepër shqetësuese për vetë ndikimin e madh që ka sot media mbi lexuesit dhe dëgjuesit e saj.

Buria e informacionit të shkruar e të folur dhe problemet që lidhen me cilësinë e tij duhet të jenë objekt i gjuhëtarit, ndonëse me keqardhje shohim se gjuhëtarët tanë shumë pak janë të orientuar nga ligjërimi i gjallë. Përjashtim bën në këtë mes prof. Qemal Murati, i cili është një vëzhgues i palodhur dhe sistematik i gjuhës së medies. Në këta 15 vjetët e fundit, kujdesit për gjuhën ai i ka kushtuar disa vepra, si “Gramatika e gabimeve” (2000), “Gjuha e medieve – Fjalor i gabimeve gjuhësore” (2008), “Fjalor i gabimeve gjuhësore” (2013), “Gjuha shqipe në komunikimet publike” (2013), pa përmendur këtu shumë shkrime të tij të shpërndara në revistat gjuhësore në Kosovë e Maqedoni.

Fjalori i medieve”, që po paraqitet për t’u miratuar për botim, vetëm 3 vjet pas daljes së tri librave të fundit, është dëshmi e punës së këtij gjuhëtari në këtë fushë. Në këtë vepër autori pasqyron pasurimin e madh që i vjen gjuhës nga ana e publicistikës, duke e paraqitur në formë fjalori, sikurse e tregon edhe titulli. Si fjalor i parë i këtij lloji në gjuhën shqipe, ai, sikurse thotë autori në parathënie, nuk mëton të pasqyrojë “gjithë fjalësin që  kanë krijuar mediet dhe kanë vënë në qarkullim këta dhjetëvjeçarët e fundit, por vetëm një pjesë të vogël të tij, i cili sigurisht do të jetë një lëndë që mund t`i hyjë në punë gjuhës dhe fjalorit standard të shqipes”. Po pavarësisht nga përulësia e autorit, kjo vepër përbën një ndihmesë me vlerë, pa mohuar që i gjithë ky prodhim publicistik nuk mund të studiohet në mënyrë shteruese nga një njeri i vetëm.

“Fjalori i medies”, ndahet në tri pjesë. Në pjesën e parë “Fjalëformime neologjike” shtjellohen disa nocione që lidhen me përmbajtjen e veprës, neologjia në ligjërimin publicistik, ndikimet e huaja në këtë fushë dhe nevoja për ta mbajtur nën kontrollin shkencor këtë veprimtari fjalëkrijuese; pastaj vijon fjalori i neologjizmave, që përmban rreth 1060 fjalë e togfjalësha të rinj dhe në fund të kësaj pjese vjen analiza e mënyrave të formimit të këtyre neologjizmave. Pjesa e dytë “Huazime të reja leksikore në gjuhën e medieve” nis me kreun “Fjalët e huaja në gjuhën shqipe”, ku trajtohen çështjeve, si rritja e numrit të fjalëve të huaja në gjuhën e medieve dhe renditja e 1000 fjalëve të huaja të përdorura më shpesh në gjuhën tonë, anglicizmat sintaksorë, qëndrimi që duhet mbajtur ndaj fjalëve të huaja etj. Kreun e dytë e përbën fjalorthi i huazimeve të reja, që ka 750 fjalë e togfjalësha. Në kreun e tretë “Huazime të reja strukturore”, në fillim bëhet një shtjellim i konceptit “kalk” e “shprehje të kaluara” dhe pastaj jepet fjalori “Kalke në shqipen e përditësuar”, që përmban rreth 130 shprehje të kalkuara.

Botimi i këtij fjalori do t’u vijë në ndihmë, në radhë të parë punonjësve të publicistikës për t’i ndërgjegjësuar për qëndrimin e kujdesshëm që duhet të kenë në përdorimin e gjuhës shqipe, të mjetit kryesor të punës së tyre, duke mënjanuar nga përdorimi fjalët dhe shprehjet e huazuara, kalket e gabuara dhe neologjizmat e panevojshëm. Ai mund t’u hyjë në punë edhe gjithë atyre që përfshihen në ligjërimin publik, në radhë të parë politikanëve. Por ky fjalor mund të shërbejë edhe si një nxitje për gjuhëtarë të tjerë për t’u marrë me gjuhën e publicistikës, në mënyrë që të merren me këtë stil të veprimtarisë ligjërimore, duke e studiuar jo vetëm teorikisht, po edhe duke grumbulluar lëndë gjuhësore të re prej saj. Për këto arsye, jemi të mendimit që “Fjalori i medieve” të shohë sa më parë dritën e botimit.