22:57 / E Martë, 02 Mars 2021 / OSH

Flasin disa prej vajzave të liruara në Nigeri pasi u rrëmbyen nga disa persona të armatosur

Disa nga afro 300 vajza të cila ishin rrëmbyer nga një shkollë në Nigerinë veri-perëndimore kanë përshkruar kalvarin e tyre pas lirimit të tyre.

“Shumica prej nesh u lënduam “, ka thënë një nga nxënëset e shkollës për BBC, duke shtuar se persona të armatosur kërcënuan t’i qëllonin.


Vajzat u rrëmbyen nga sulmues të paidentifikuar nga shkolla e tyre me konvikt në Jangebe, shteti Zamfara, të premten dhe u morën në një pyll, tha policia.

Guvernatori i shtetit tha të martën se 279 vajzat ishin liruar.

Ndërkohë siç vë në pah BBC, rrëmbime të tilla kryhen për shpërblim dhe janë të zakonshme në veri të vendit.

“Ata thanë se [do] të qëllonin këdo që nuk vazhdonte të ecte”, tha ajo. “Ne ecëm përtej një lumi dhe ata na fshehën dhe na lënë të flemë nën kaçube në një pyll”.

Ndërsa një tjetër nga vajzat, 15 vjeçe, tha se disa nga shoqet e saj të klasës e kishin të vështirë “të ecnin nëpër gurë dhe ferra” dhe duhej të barteshin.

“Ata filluan të na godisnin me armë në mënyrë që ne të lëviznim”, i tha ajo agjencisë së lajmeve Reuters, duke shtuar: “Ndërsa ishin duke i rrahur me armë, disa prej tyre po qanin dhe lëviznin në të njëjtën kohë”.

Disa nga baballarët që kishin mbërritur për të parë vajzat e tyre për herë të parë që nga rrëmbimi i tyre u thanë gazetarëve se ishin “shumë të lumtur” me lajmin e lirimit të tyre.