15:41 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Flasin nga FFK-ja: Kur do të zhvillohet ndeshja Maqedoni-Kosovë? – A do të jenë të pranishëm tifozët?

Ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është duke u shtyrë që dy herë për shkak të pandemisë Covid 19.

Sporti në Indeksonline kontaktoi me zyrtarin e FFK-së, Bajram Shala për ta kuptuar se kur pritet që të zhvillohet kjo ndeshje.

Shala tha se pritshmëritë janë që ndeshja të zhvillohet në muajin vjeshtë.

“Ne akoma jemi në pritje te një konfirmimi zyrtar nga UEFA për datën dhe muajin se kur do te zhvillohet kjo ndeshje. Pritshmëritë tona janë qe do te luajmë ne vjeshtë, por pa një vendim te UEFA-s nuk mund te flasim për një date konkrete. Mendoj që duke pas parasysh kalendarin e ngarkuar edhe për klubet në atë periudhë nuk do të jetë e lehtë për UEFA-n të gjejë datat e nevojitura për kompletimin e të gjitha ndeshjeve dhe garave te kombëtareve”, tha ai.

Tutje, ai tregoi se kur do që vendoset data për zhvillimin e ndeshjes, FFK është e përgatitur në aspektin organizativ.  

“Si do që të jetë, ne jemi të gatshëm në aspektin organizativ dhe në momentin që UEFA do te precizoj datën ne nuk do të kemi asnjë pengesë në aspektin organizative për aq sa janë kompetencat dhe përgjegjesitë tona për këtë ndeshje”, u shprehë Shala.

Sa i përket pranisë së tifozëve, Shala u shprehë se do të dëshironin që të ndeshja të zhvillohet me publik.

“Edhe kjo është e ndërlidhur me një vendim te UEFA-s, por përderisa për datën gjithçka varet ekskluzivisht nga UEFA, në këtë aspekt duhet analizuar edhe situatën me pandeminë. Ashtu edhe siç dihet këtyre ditëve Maqedonia po përballet më një trend te ri te përhapjes se virusit, prandaj varësisht se kur do te vendoset te zhvillohet loja, duhet të përcjellim edhe situatën epidemiologjike, dhe vendimet e autoriteteve shtetërore te Maqedonisë. Por normalisht se ne do të dëshironim te luanim me publik, ne mënyrë që të kemi përkrahjen e publikut tone te zjarrtë. Edhe pse do të luajmë jashtë Kosovës jam i sigurte se tifozeria jonë, do të gjente mënyrën për ta mbështetur dhe ndezur maksimalisht ekipin për të kërkuar fitore historike ne ndeshjet e play-offit”, përfundoi ai./Indeksonline/