13:26 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Flasin nga Presidenca e Sierra Leones rreth takimit me Daçiqin, nuk përmendin çnjohje

Presidenca e Sierra Leone, shtetit që po raportohet se ka tërhequr sot njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës, është deklaruar pas takimit me kryediplomatin serb Ivica Daçiq.

Përmes një komunikatë, në këtë takim është folur për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, të cilat nga ata janë konsideruar si shumë të fuqishme dhe se do të vazhdojnë ende.

“Bashkë me Ministren e Jashtme të Sierra Leones, Nabeela Tunis, Presidenti ka folur me diplomatin serb të cilit I ka thënë se Serbia ka lidhje të gjata me shtetin tonë, dhe se ato do të vazhdojnë edhe më tej përmes konsultimeve në mes dy ministrive”, thuhet në këtë njoftim.

Lidhur me ‘çnjohjen’  e Kosovës nuk thuhet asgjë në njoftimin e Presidencës, ndërsa as mediat në këtë shtet nuk kanë raportuar rreth kësaj.

Mirëpo, Daçiq në mëngjes deklaroi se ky vend ka tërhequr njohjen e pavarësisë ndaj Kosovës.

“Me një kënaqësi të veçantë mund t’ua tregoj notën e ministrisë së Jashtme, në të cilën theksohet se Sierra Leone tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe se do t’i respektojë rezultatet e dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE’së dhe OKB’së”, ka thënë Daçiq.