21:56 / E Diele, 21 Prill 2019 / indeksADMonline

Flet pas humbjes kundërkandidati i Naim Fetahu-t, falënderon ekipin që e ndihmoi

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur sonte kryetarin e degës në komunën e Podujevës.

Me 117 vota, Naim Fetahu u zgjodh kryetar i degës së PDK-së në Podujevë, me vetëm një vot ëmë shumë se kundërkandidati i tij, Fahri Osmani.

E pas kësaj zgjedhje, Osmani ka thënë se në këtë garë ka dhënë nga vetja përkushtim për të dhënë shembullin e sjelljes së denjë, kulturës demokratike e vlerave intelektuale.

Ai shtoi se diskutimi me të rinj e të reja, me intelektualë e qytetarë të shumtë ka qenë mbresëlënës.

Osmani ka uruar kolegun e tij shumëvjeçar, Naim Fetahu pas zgjedhjes në krye të degës, duke i dëshiruar mbarësi në detyrat e reja, transmeton Indeksonline.

Osmani ka falënderuar poashtu të gjithë bashkëpunëtorët që kanë përkrahur atë gjatë këtij procesi zgjedhor.

Shkrimi i plotë:

Të dashur miq,

Në garën time për kryetar të degës së PDK’së, unë kam ndërtuar një ide se si ta avancojmë angazhimin tonë politik në një rrugë me dy qëllime: të fitojmë zgjedhjet dhe të qeverisim mirë.

Kam dhënë nga vetja përkushtimin për të dhënë shembullin e sjelljes së denjë, kulturës demokratike e vlerave intelektuale dhe ndihem mire se ketë e kam arritur. Sot pasi përfunduam zgjedhjet e brendshme, dua të them se diskutimi me te rinj e te reja, me intelektualë e qytetarë të shumtë me themel qytetarie e tradite të mirëfilltë, ka qenë mbresëlënës.

Kam krijuar ekipe të shumta mbështetësish për të cilët ndihem krenar dhe përgjegjës. Sot kuvendi i delegatëve me një dallim të vogël, vendosi ndryshe por PDK sot ka një traditë të jashtëzakonshme të garës demokratike dhe fer që nuk e kishte më heret dhe për mua kjo është një kontribut i madh në procesin e demokratizimit të jetës tonë politike. Falenderoj nga zemra cdo bashkëpunëtor timin, cdo anëtar të vjetër e te rinj të PDK-së, mbi të gjitha secilin qytetar të llapit që më ka shkruar e përkrahur parreshtur. Dua të ju siguroj se angazhimi ynë politik do të jetë i bazuar mbi respektimin e plotë të garës, rregullave dhe ligjeve, përgjegjësive qytetare e intelektuale dhe nuk do të ndalemi së punuari, në çfarëdo roli që e ushtrojmë, për idetë zhvilluese e përbashkuese.

I uroj strukturat e reja të zgjedhura, kryetarin e degës, kolegun tim shumëvjeçar z. Naim Fetahu duke ju dëshiruar suksese dhe mbarësi në detyrat e reja.

Për fund janë te paverteta lajmet e disa portaleve per gjoja largime te grupit te asambleisteve dhe strukturave nga radhet e PDK.

Me Respekt

Fahri Osmani