19:12 / E Shtunë, 12 Tetor 2019 / indeksADMonline

Flet regjisori i dokumentarit që shkaktoi përplasjen mes serbëve dhe shqiptarëve në Nju Jork

Regjisori serb Boris Malagurski është kthyer në qendër të vëmendjes së fundmi, pas daljes në kinematë amerikane të dokumentarit të tij që flet për bombardimet e NATO-s në Kosovë. Në disa kinema të New York-ut, filmi u prit me protesta nga shqiptarët, sepse sipas tyre Boris keqpërdor në filmin e tij shqiptarët, duke u dhënë një rol negativ.

Në intervistën ekskluzive për dritare.net, Boris e mohon kategorikisht këtë gjë, madje thekson se shqiptarët dhe serbët janë viktima të NATO-s, të cilën e quan pushtuese, së bashku me SHBA-në e BE-në. Ai thotë se në dokumentar është fokusuar tek përdorimi në masë i uraniumit të varfëruar gjatë bombardimeve të NATO-s, gjë që ka çuar në trefishimin e rasteve me kancer në Kosovë dhe në Serbi, pretendon ai.

“The Weight Of Chains 3″ titullohet dokumentari i regjisorit dhe aktivistit 31 vjeçar, i cili pohon ne bisedën me gazetaren Kozeta Turishta, ne Nju Jork, se është i shokuar kur sheh sesi njerëzit protestojnë për diçka që nuk e kanë parë.

Më tej ai flet për vizitën e tij në Korçë gjatë kësaj vere, ndërsa thekson se shqiptarët duhet të kuptojnë se “pushtuesi” shkon e vjen, por fqinji është aty përherë.

Boris, ka lindur në vitin 1988 në qytetin Subotica, në veri të Serbisë, në një familje intelektuale me dy prindër akademikë.

Ai ka mbaruar studimet për regji filmi në Universitetin e Britanisë së Madhe “Columbia” dhe në Kanada, ku ka ndërtuar dhe jetesën e tij profesionale duke themeluar kompaninë kinematografike “Malagurski Cinema”. Filmi dokumentar i tij për momentin po shfaqet në disa shtete të Amerikës nga New York, Toronto, Chicago, Las Vegas, Miami, Washington etj.

Dritare.net: Si e nisët punën për dokumentarin tuaj “The Weight Of Chains 3″ dhe ku e keni përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën?

Unë nuk përmend Shqipërinë në këtë film, por kam folur për NATO-n dhe përdorimin e uraniumit të varfëruar në të gjithë Serbinë, duke përfshirë edhe Kosovën.

Në fakt, Kosova u bombardua në shumicë nga municione me uran të varfëruar nga NATO.

Kjo ka çuar në rritje të rasteve me kancer si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët. Sipas burimeve të inteligjencës, rastet e kancerit tek shqiptarët e Kosovës janë trefishuar qysh nga viti 1999. Ky fakt tregon se në fakt NATO nuk kishte si qëllim të ndihmonte shqiptarët, por thjesht të zaptonte tokën. Thjesht bëji vetes pyetjen: Nëse Kosova është e pavarur, a mund të bëjë dot diçka në mënyrë të pavarur nga SHBA dhe Europa?

Dritare.net: Mendoni se shqiptarët e kanë keqkuptuar faktin që ju përmendni dy vendet në dokumentarin tuaj?

Unë nuk merrem me Shqipërinë, por fakti që njerëzit protestojnë kundër një filmi pa e parë fare është përtej imagjinatës sime. Shqiptarët për mua janë po aq viktima të NATO-s dhe të politikave të saj sunduese. Elitat politike shqiptare po nxisin ndjenjën anti-serbe, për të fshehur faktin që dhe shqiptarët janë kolonizuar nga Perëndimi. Ju e gjeni këtë provë në New York. Një organizatë ka organizuar një protestë kundër një filmi, për të cilin nuk dinë asgjë. E vetmja gjë që dinë është se filmin e ka bërë një serb dhe kjo arsye mjafton për të protestuar. A nuk është e gjitha një marrëzi?

Dritare.net: Kjo ndodhi disa ditë më parë, kur ju promovuat filmin në një nga kinematë e New York-ut. Në fakt duket se ju jeni pëpjekur të provokoni, duke i paraqitur shqiptarët në rol negative. Sa e vërtetë është kjo?

E theksova më sipër, sesa i shokuar jam kur shoh njerëz që protestojnë për diçka që nuk e kanë parë. Është shumë sipërfaqësore. Njëri nga protestuesit madje kishte sulmuar audiencën dhe ishte arrestuar nga policia. Shqiptarët që marrin pjesë në diçka të tillë i japin vetes një emër të keq, jo unë.