11:34 / E Premte, 17 Maj 2019 / indeksADMonline

Flora Brovina arrin në polici për tu intervistuar

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina është paraqitur në Stacionin Policor në Prishtinë, raporton Indeksonline.

Ajo e shoqëruar nga shoferi i saj, me veturë zyrtare të Kuvendit, ka hyrë brenda oborrit të policisë në qendër të Prishtinës ku do të merret në pyetje në lidhje me fotografinë e publikuar dje që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.

Deputetja ka arritur në stacion rreth orës 11:00 dhe aty e ka pritur një zyrtar i caktuar policor për ta intervistuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dje ka bërë të ditur se me të marrë lajmin që deputetja Brovina, ka paraqitur fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e femrave nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera.

Por, fotografia e publikuar nga deputetja Brovina del të jetë e shkëput nga një video e cila qarkullon në sajte pornografike. Mirëpo kështu nuk po mendon deputetja Brovina e cila sot do të sqaroj gjithçka përkitazi me fotografinë./Indeksonline/