16:52 / E Martë, 09 Korrik 2019 / indeksADMonline

Floriana Ismailit i jepet lamtumira e fundit

Sot u organizua një ceremoni e denjë lamtumirëse e ndarjes nga Florijana Ismaili, futbollistes së talentuar shqiptare, e kombëtares së Zvicrës (NATI), e cila humbi jetën tragjikisht dhjetë ditë më parë në liqenin Como në Itali.



Ceremonia, e cila është organizuar nga Federata e Futbollit të Zvicrës u zhvillua në një sallë sportesh në qytezën Worben të Kantonit të Bernës, ku kanë marrë pjesë rreth 700 veta, familjarë, adhurues, bashkatdhetarë të shumtë nga pothuajse e gjithë Zvicra; ndërsa bashkëlojtaret e Florijanës të klubit YB, në shenjë kujtimi për lojtaren e ndjerë, ishin veshur me fanellat e ekipit të tyre. Fjalë rasti kanë mbajtur drejtori i Federatës së Futbollit zviceran dhe drejtori teknik i kësaj Federate; kapitenet e Klubit Fudbollistik për Femra të Zvicrës; përfaqësuesit e ekipit futbollistik Young Boys, përfaqësuesit e Komunës së Worbenit, etj.

Nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër në këtë ceremoni lamtumirëse, ka marrë pjesë një delegacion prej tre diplomatësh i cili u ka shprehur ngushëllimet e thella prindërve, familjarëve dhe ekipit futbollistik të Florijanës, si dhe ka vënë një kurorë lulesh në shenjë nderimi e respekti për veprën dhe emrin e saj.