08:05 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / MSH

FMN arrin marrëveshjen me Ukrainën, program mbështetje me vlerë 15.6 miliardë dollarësh

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka arritur një marrëveshje me Ukrainën për financim katër-vjeçar me vlerë rreth 15.6 miliardë dollarë.

Marrëveshja, e cila do të jetë hua dhe ende nuk është miratuar nga bordi i FMN-së, vie pas disa muajsh bisedime midis stafit të FMN-së dhe zyrtarëve ukrainas.

Zyrtari i FMN-së, Gavin Gray, tha se paketa e mbështetjes pritet të ndihmojë në mobilizimin e financimeve koncesionare në shkallë të gjerë nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës.

Ai tha se pushtimi rus ka pasur një “ndikim shkatërrues” në ekonominë e Ukrainës, e cila u tkurr me 30% vitin e kaluar.

Ukraina pritet të shohë një rimëkëmbje ekonomike graduale në muajt e ardhshëm, ndërsa rikuperohet nga dëmtimi i gjerë në infrastrukturën kritike.

Marrëveshja pritet të shqyrtohet nga anëtarët e bordit të FMN-së, në javët e ardhshme.