08:18 / E Premte, 22 Shkurt 2019 / indeksADMonline

“Fondet për qentë endacak s’po përdoren si duhet”

Menaxhimi dhe kontrollimi i qenve endacakë në Kosovë po përcillet me shumë probleme. Vitin që shkoi Qeveria ka ndarë 1.3 milion euro për këtë qëllim, por problemi nuk është evituar.

Asamblisti në Komunën e Prishtinës, nga radhët e Vetëvendosje, Egzon Azemi, tha se fondet që janë dedikuar për trajtimin e këtij problemi, nuk po përdoren si duhet. Sipas tij, trajtimi i qenve endacakë po bëhet vetëm në qendër, kurse lagjet periferike janë lënë anash.

Çështja e qenve endacakë, e cila deri më tani ka marrë edhe jetë njerëzish, ende mbetet problem mjaft i theksuar në të gjitha Komunat e Kosovës. E për trajtimin e këtyre qenve Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë rreth 1 milion e 300 mije euro në nivel vendi. Kështu tha për Radio Kosovën, Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterines. Ai tha se vitin e kaluar janë trajtuar rreth 14 mijë qen në gjithë territorin e vendit. Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do të bëjë përpjekje që projekti të vazhdojë edhe këtë vit.

“Jemi duke bërë përpjekje që këtë projekt ta vazhdojnë edhe këtë vit, por kjo varet nga ndarja buxhetore që do na ofrojë qeveria. Ndërsa si mandat ligjor gjithmonë për zgjidhjen e kësaj çështjeje janë komunat, por në pamundësi që ato t’i kryejnë vetë, atëherë neve na është dhënë si detyrë shtesë që t’u dalim në ndihmë”, tha ai.

Egzon Azemi, asamblist i Vetëvendosjes, në Komunën e Prishtinës, tha se fokusi i të gjitha aktiviteteve është përqendruar në qendër të qytetit, ndërsa janë lënë anash lagjet periferike. Sipas tij, mjetet që ndahen për kujdesin ndaj qenve endacakë, nuk po shpenzohen si duhet.

‘100 mije euro, që i ndan komuna për çdo vit për përkujdesjen e qenve, çështja është se kjo shumë e parave nuk po shpenzohet si duhet, dhe se fokusin komuna e ka vetëm ne qendër të qytetit, ndërsa sulmet nga qentë po ndodhin në periferi të qytetit” tha ai.

Habib Qorri, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, tha për Radio Kosovën se kanë pasur disa raste të kafshimit dhe sulmeve te qenve ndaj qytetarëve, por thotë se komuna në vazhdimësi është duke u marrë me këtë problem.

“Numri i madh i qenve endacakë, sidomos në qytetin e Prishtinës, është i madh, për arsye se ky problem nuk është duke u trajtuar në mënyrën e duhur në nivel vendi që të ketë efektin dhe rezultatin e duhur kjo metoda e kastrimit dhe sterilizimit”, tha ai.

Qorri tha se trajtimi i qenve endacakë në Prishtinë bëhet në vazhdimësi, por është evidente se numri i qenve që vijnë nga komunat e tjera është shumë i madh. Kjo përveç që shton rrezikun, ia bën të pamundur Komunës së Prishtinës trajtimin e tyre edhe për shkak të kostos së lartë financiare.