07:11 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

Forum 2015 trajton kontratat e dëmshme të Kosovës

Forum 2015 do të organizojë sot tryezën e radhës me temë “Kontratat e dëmshme të Kosovës: kush ka faj?”.

Qëllimi i kësaj tryeze është që të trajtohen kontratat e dëmshme të cilat zbatohen nga institucionet publike të Kosovës, përfshirë pasojat që kanë këto kontrata.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke u përballur me konteste gjyqësore, të cilat rrjedhin si pasojë e formulimit dhe zbatimit joadekuat të kontratave publike.

Këto konteste gjyqësore tregojnë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike nuk kanë arritur të dizajnojnë kontrata të plota dhe të respektojnë detyrimet që dalin nga marrëdhëniet e tilla kontraktuale.

Përderisa rezultatet nga këto konteste potencialisht mund t’i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të Kosovës, ende nuk është vënë askush para një përgjegjësie as politike e aq më pak penale për këto raste.

Është shqetësues fakti që afërsisht dy dekada nga përfundimi i luftës dhe një dekadë pas pavarësimit të vendit, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë një sistem efikas për menaxhimin e projekteve të mëdha publike. Posaçërisht kur kemi parasysh se kontratat të cilave ju referohemi përfshijnë, mes tjerash, projektet që janë proklamuar si projektet kryesore zhvillimore të Kosovës.