07:57 / E Hënë, 15 Prill 2024 / L K

Forumi për Gra, Paqe dhe Siguri mbledh pjesëmarrës nga 40 shtete

Sot dhe nesër Kosova do të mirëpresë personalitete të ndryshme nga disa shtete të botës në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po në këtë forum, temë bosht pritet të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë do të jetë temë boshtë çështje e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave”, tha presidentja dje në një konferencë për media, raporton RTKlive.

Ajo ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga Ushtria dhe Policia Serbe vazhdojnë të rëndojnë ende jetën e qytetarëve tanë, pas gati 25 viteve të pas luftës. Osmani tha se dhimbja e Kosovës është e madhe, pasi gjatë luftës së fundit që janë dhunuara mbi 20 mijë gra nga ana forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë.

Ndryshe në këtë forum, do të ketë një video-adresim të veçantë nga Hillary Clinton, Sekretarja e 67-të e Shtetit të SHBA-ve.

Personalitete tjera në këtë forum do të marrin pjesë: Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi etj.