11:42 / E Premte, 07 Shtator 2018 / indeksADMonline

Franca zyrtarisht përkrah korrigjimin e kufijve

Qeveria franceze edhe zyrtarisht është deklaruar për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Francës, Agnès Von der Mühll e pyetur për këtë temë ka theksuar se zgjidhja e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përcaktuese për qëndrueshmërinë në Ballkanin perëndimorë dhe për jetësimin e perspektivës evropiane të këtyre dy vendeve.

“Franca e përkrah plotësisht ndërmjetësimin nga Federica Mogherini dhe e shpreh qëndrimin që diskutimet të thellohen për të gjitha çështjet kontestuese dhe duhet do të sjellin së shpejti një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe definitive ndërmjet dy vendeve, bazuar në qëndrimet e deklaruar nga dy presidentet”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, Presidenti i Francës, Macron e ka dhënë mbështetjen e Francës për këtë dinamikë gjatë takimit me presidentin Vucic, në Paris, me 17 korrik dhe i përkrah përpjekjet e dy udhëheqësve.

“Franca konsideron që i takon dy palëve të përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje dhe të shterojnë të gjitha opsionet që do të mund të çonin të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe definitive”, ka shtuar Agnès Von der Mühll.