Fushata sensibilizon gratë, ja sa gra u trajtuan dhe diagnostikuan me kancer të gjirit gjatë “Tetorit Rozë“
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit. E kjo fushatë ka ndikuar që të rritet dukshëm numri i grave, të cilat kanë bërë kontrolle dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.
Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani ka thënë për “Indeksonline”, se fushata e Tetorit Rozë, ka pasur efekt dhe se numri i grave që kanë kryer kontrolle, është rritur dukshëm.
Rreth 800 gra kanë kryer mamografi gjatë këtij muaji dhe se tetë nga to, janë diagnostikuar me kancer të gjirit.
“Sa i përket fushatës, numri i grave që kanë ardhur qoftë për mamografi apo ultrazë, kemi pasur 800 vizita dhe mamografi, që i kemi realizuar në kuadër të tri Qendrave që i kemi në QMF numër 5 dhe 4. Dhe në këto tri qendra, i kemi pasur 800 raste. Ndërsa në muajt normal jashtë muajit sensibilizues, i kemi 50 deri në 70 raste. Kjo është e mira e fuqisë së këtyre fushatave, mëqe numri është trefishuar. Një apel për pacientet femrat dhe meshkuj, që duan ta bëjnë mamografinë, të mos e presin muajin tetor, por kjo të bëhet dhe gjatë muajve të tjerë. E mira e sensibilizimit është se janë dyshuar mbi 10 raste, prej tyre 8 raste kanë rezultuar të kenë kancer. Këto gra janë diagnostikuar në fazë shumë të hershme, për çka dhe e bëjnë diagnozën shumë më të mirë dhe për këtë duhet të kemi fuqizim të sensibilizimit, vetëdijësim të popullatës”, thotë Hashani.
Edhe pse fushata sensibilizuese ka përfunduar, Hashani thotë se terminet për mamografi janë të plotësuara deri në mesin e muajit dhjetor.
“Deri me 10 ose 15 dhjetor, i kemi të gjitha terminet e plotësuara për gratë që do të bëjnë mamografi”, tha ai.
Megjithëse mamografi preferohet për gratë mbi moshën 40 vjeçare, Hashani thotë se tentohet që kjo moshë të shtyhet dhe se mamografia të bëhet tek gratë mbi moshën 45 vjeçare.
“Në bazë të informacioneve të reja, evidencën mjekësore, tentohet që tani mamografia të shtyhet nga 40 vjet në 45 vjet, për shkak të rrezatimit, pasi që është ultrazëri i gjirit, i cili mund të bëhet në çdo moshë”, tha ai.
Por nga kjo sëmundje nuk janë të rrezikuara vetëm gratë e moshës mbi 40 vjeçare, pasi që në Kosovë ka raste dhe tek moshat e reja.
“Fatkeqësisht ne i kemi dhe disa statistika, që i kemi marrë nga Klinika e Onkologjisë e SHSKUK-së, që kemi pasur raste të femrave 18 dhe 20 vjet që i ka atakuar kanceri i gjirit. Kjo është shqetësuese. Pikërisht për shkak të kësaj duhet të rritet dhe sensibilizimi dhe njoftimi i çdo personi, i cili vëren çfarëdo ndryshimi tek trupi i vet”, thotë Hashani./Indeksonline/