13:29 / E Hënë, 21 Tetor 2019 / indeksADMonline

Futbollisti i skuadrës shqiptare feston si Kombëtarja turke, përshendet ndërhyrjen ushtarake

Labunishti ka barazuar 1:1 ndaj Pelisterit në derbindeshjen e javës së 9-të në Ligën e Dytë Futbollistike në Maqedoninë e Veriut.

Të parët që kaluan në avantazh, ishin vendësit, kur sulmuesi shkupjan, Sunaj Hasan, arriti që të mposhtte portierin Filip Trajçevski, ndërsa festa e tij mori vëmendjen e të gjithë të pranishmëve në stadiumin e qytetit të Strugës.

Hasan festoi me simbolin e nderimit ushtarak, që ishte një dedikim për forcat e armatosura turke, që po luftojnë në Siri, ndërsa e njëjta e gjeti edhe mbështetjen e tifozëve të Labunishtit, që iu kundërpërgjigjën sulmuesit të tyre, duke nderuar ushtarakët turq edhe nga shkallët e stadiumit.

Kjo festë është aplikuar nga shumica e sportistëve turq thuajse në të gjitha sportet, ndërsa u përdor edhe nga ana e futbollistëve të Kombëtares turke në kuadër të ndeshjeve eliminatore të tetorit, që Turqia i zhvilloi kundër Shqipërisë dhe Francës.