23:52 / E Shtunë, 13 Gusht 2022 / Gjelbrim

Galtier zgjodhi Donnarumman si titullar, Navas drejt Serisë A

Keylor Navas duket se ka marrë rrugën drejt Napolit. Sipas informacioneve që vijnë nga Franca, PSG dhe Napoli janë në bisedime për të zgjidhur të ardhmen e portierit kostarikan. Mësohet se “gardiani” 35-vjeçar i ka thënë “po” Napolit e tani e vetmja gjë që mungon është marrëveshja mes dy klubeve. Pas mbërritjes së Donnarummas verën e kaluar në Paris, Keylor Navas e ka pasur të vështirë të jetë portieri titullar i PSG-së dhe me emërimin e Galtier trajner, aktivizimi titullar i veteranit është bërë praktikisht mision i pamundur.

“Për Keylor është më e vështirë”, siguroi trajneri në një konferencë për shtypin, duke shtuar se Donnarumma do të ishte zgjedhja e tij e parë për portën.

Tani mbetet vetëm që të dy klubet të bien dakord për të kryer operacionin. Navas mund të largohet në formë huazimi ose huazimi me opsion blerjeje, por ajo që PSG synon është të përdorë interesin e Napolit për Keylor për të marrë Fabián Ruiz.