16:01 / E Martë, 01 Tetor 2019 / indeksADMonline

Gani Dreshaj i bën publike top priotitetet e tij si deputet, janë shumë të qëlluara

Gani Dreshaj i ka bërë publike top-prioritetet e tij në garën për deputet.

Kandidati i AAK-së që mbanë numrin 40 në listë ka premtuar që edhe në një mandat do të jetë në shërbim të popullit dhe nuk do të përfitojë asgjë nga mandati i ardhshëm.

“Duke mos dashur të bëhem i tepërt, dua të ju garantoj edhe një herë se synoj të jem deputet pa asnjë interes më të voglin personal.

Por, kam shumë arsye se pse dua të zë një ulëse në Kuvend dhe të ngris zërin për disa çështje për të cilat jam i bindur se janë urgjente dhe të domosdoshme.

1.Rritja e pagës minimale. Këtë temë e kam ngritur në parlament edhe në mandatin e kaluar, por tashmë kam marrë garancën 100% të koalicionit AAK-PSD se në periudhë tejet të shpejt do të realizohet kjo kërkesë urgjente.

2.Kontratat e punëtorëve dhe sigurime shëndetësore urgjente për kategorinë e punëtorëve që janë të angazhuar me punë me rrezikshmëri. Në kompanitë e mija personale, kjo çështje tanimë është në fazën finale.

3.Pagesa e secilës pagë dhe secilës punë nëpërmjet xhirollogarive bankare, si dhe pagesat e detyrimet e trustit ndaj punëtorëve në secilën kategori. E them ballëhapur se këtë e aplikoj në kompanitë e mija, andaj një praktikë e domosdoshme duhet të aplikohet tek secila kompani kosovare dhe ndaj secilit punëtor.

4.Ndryshimi i ligjit për veteranët. E kam përsëritur disa herë në parlament, dhe nuk do të ndalem së përsërituri. Është e turpshme që veteranët e luftës mos të kenë të drejtën për punë dhe të kushtëzohen nga paga sociale prej veteranit. Me këtë ligj, ne po i pasivizojmë qindra e mijëra veteranë që janë të gatshëm për punë duke i lënë nën mëshirën e një page tejet minimale.

5.Përmirësimi i kushteve për të burgosurit. Është për keqardhje që ende ne burgjet tona nuk ka seleksionim të mirëfilltë për të burgosurit. Një person që padashje mund të kryej kryej një vepër në trafik, mund të ketë fatin të jetë në burg me një person që ka bërë vepra të rënda kriminale. Poashtu, amnestia në burgjet kosovare duhet të rikthehet sepse është praktikë e shteteve demokratike

6.Krjimi i një Task-Force për luftimin e fenomenit të narkomanisë nëpër shkolla. Është tejet shqetësuese dhe për keqardhje numri i të rinjëve që përdorin narkotikë, situata të cilat dërgojnë në shkatërrimin e familjes dhe shoqërisë.

7.Ulja minimale e kësteve për blerjen e banesave tek çiftet e sapomartuara. Këtë ide e kam thënë edhe para se ta propozonte Albin Kurti ?. Por për fat të keq ende nuk është ndërmarrë diçka. Është diçka që praktikohet në Gjermani dhe shtete të fuqishme, që ndikon në mirëqenie, në jetën e mirë për të rinjët e sapomartuar, për rritjen e natalitetit, për zhvillimin e shëndoshë të një familje të re.

8.Përkrahja për gratë e divorcuara, nënat me fëmijë dhe gratë që kanë përjetuar dhunën në familje. Përkrahja nënkupton rehabilitimin e tyre në qendra përkatëse, strehim të sigurtë dhe mundësinë për punë” shkruan Dreshaj në njoftim./Indeksonline/