15:03 / E Hënë, 11 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Gardianët duan paga si të policëve, ministri Tahiri ka një përgjigje për ta

Punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës sot kanë zhvilluar protesta në disa qendra korrektuese të vendit. Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në drejtim të Ligjit të Pagave duke kërkuar barazim të koeficientit me Policinë e Kosovës, si dhe rrezikshmërinë ta kenë në 40%. Sipas tyre, kërkesat do të vazhdojnë deri në plotësimin e tyre dhe se protestat do të jenë të pashmangshme në rast se nuk do të ketë ndryshim në këtë Ligj të Pagave sa i përket Shërbimit Korrektues.

Indeksonline ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ka deklaruar se shprehja e kërkesave nga ana e punonjësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës është tërësisht legjitime, pasi që kishte kërkuar që ngritja e pagave për ta të jetë deri në 40%, por që rezultoi në vlerë prej 25%.

“Shqetësimet e tyre kanë qenë shqetësime të mia prej fillimit të diskutimit të Ligjit për Paga që së fundi u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ju e dini që me të marrë mandatin, kam vizituar secilën Qendër Korrektuese, ku jam njoftuar me gjendjen infrastrukturore, kushtet tjera të punës si dhe nevojën për adresimin e këtyre kërkesave legjitime”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu theksoi se kishte insistuar që nga fillimi që paga e punonjësve të SHKK-së të jetë e krahasueshme me organet tjera që kanë përgjegjësi të ngjashme dhe që oficerëve të SHKK-së t’iu garantohet në këtë mënyrë pagesë e dinjitetshme, për punën që bëjnë në mbajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese.

“Kam kërkuar që ngritja e pagave për ta të jetë deri në 40 %, por natyrisht se mundësitë ekzistuese kanë qenë që kjo rritje të realizohet në vlerën prej 25 %.Megjithatë, një pikë të rëndësishme që kam insistuar vazhdimisht dhe që kemi arritur ta përmbushim me sukses, ka qenë çështja e shtesave të rrezikshmërisë, të cilat deri më sot, deri para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë qenë fikse në një shumë prej 107 eurosh, ndërkaq me insistimin tim, këto shtesa sot janë ekuivalente me Policinë e Kosovës, pra 40 për qind të pagës bazë. Megjithatë, për çështje korrektësie, dëshiroj ta konfirmoj edhe njëherë se kërkesa për paga të dinjitetshme ka qenë insistim i imi si Ministër i Drejtësisë, dhe për këtë çështje nuk kam marrë asnjëherë kërkesë nga Sindikata dhe askush tjetër, shtoi ministri Tahiri.

Ligji për Pagat u arrit të votohej në Kuvendin e Kosovës, por pavarësisht kësaj presidenti i vendit, Hashim Thaçi ende nuk ka dekretuar atë. Ditë më parë ai theksoi edhe faktin se janë shumë ankesa të drejtuara ndaj këtij ligji të sapomiratuar./Indeksonline/