11:22 / E Martë, 02 Qershor 2020 / indeksADMonline

Gashi i bindur se LDK ka vota për Qeverinë Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është deklaruar para mediave ku tha se sipas kërkesës së deputetëve të LDK-së dhe Grupit Parlamentar në përgjithësi është vendosur për seancën e nesërme.

Ai u shpreh i bindur se i kanë votat për Qeverinë Hoti.

I pyetur nëse kanë votat e të gjithë deputetëve të LDK-së për Qeverinë Hoti, Gashi tha se është e padinjitet që deputetët të konsiderohen si vota.

“Secili deputet është personalitet në vete dhe duhet të respektohen si të tillë.Nesër secili deputet e ka mundësinë që të jap vlerësimin e vetë në Kuvend dhe në fund vlerësimin përmes votës. Trajtimi i deputetit si votë nuk është i dinjitetshëm. Të gjitha marrëveshjet janë përmbyllur. Pyetni z.Limaj  për deklaratën e Haxhi Shalës e këtë çështje, s’kam nevojë të diskutojë për çështjet e Nismës, nuk e kam atë problem dhe s’merrem me këtë çështje. Nuk është çështje e imja është çështje e personave të cilët kanë diskutuar”, tha Gashi, raporton Indeksonline.

Ai theksoi se nesër ka seancë dhe janë të sigurtë kur kanë thirrur këtë seancë.

“Dhe në bazë të bindjeve të veta secili do të votojë, a janë 60 a janë 70 vendoset nesër. Është çështje procedurale, Osmani është kryetare  Kuvendit dhe vendos se a do të udhëheqë seancën apo jo. Orientimi është që marrëveshjet të publikohen dhe do ti publikojë z.Hoti”, tha Gashi.

Gashi tha se nuk kanë deklaruar me asnjë deputet të PDK-së lidhur me votimin e Qeverisë Hoti.

“Nuk është e ndershme të diskutojmë me deputet të partive që janë deklaruar se do të jenë në opozitë, mendoj se do të ofendoheshin edhe deputetët. Ne dhe PDK s’jemi në koalicion qeverisës dhe s’mund të kuptojë se si mendoni një gjë të tillë, duke marrë parasysh një potezë aspak të qëndrueshme. Partner i koalicionit nuk është PDK që hipotetikisht do të propozonte Presidentin”, tha Gashi.

Ai u pyet nëse LDK synon që sërish të ketë udhëheqjen e Presidentit, siç kishte synim gjatë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, Gashi tha se LDK është parti serioze, partia më e madhe e koalicionit dhe do të jetë faktori kryesor në këtë proces./Indeksonline/