19:21 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gashi: Jam ende i gatshëm të përballem me David Phillips, shpifi ndaj meje

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Latif Gashi ka thënë se është ende i gatshëm të përballet në Gjykatë me David Phillips, ish-këshilltarin e Qeverisë së Kosovës të cilin e kishte paditur për shpifje në vitin 2010.

David Phillips, një profesor dhe analist amerikan, në një analizë të publikuar në revistën “World Policy Journal” në vitin 2010, kishte thënë se SHIK-u fitonte deri në 200 milionë dollarë në vit nëpërmjet haraçit e veprimeve tjera të paligjshme. Në këtë analizë, ai kishte përmendur edhe ish-drejtorin e SHIK-ut, Latif Gashin.

Për deklarimet e Phillips-it ndaj tij, Gashi pati ngritur padi ndaj analistit amerikan dhe gazetës “Koha Ditore” në vitin 2010.

Në një bisedë telefonike me Insajderin të martën, Gashi ka deklaruar se ende është i gatshëm të përballet me Phillips-in për, siç ka thënë ai, “konstatimet e pavërteta rreth tij dhe Shërbimit Informativ të Kosovës”.

“Unë qëndroj mbrapa padisë që kam ngritur kundër tij dhe jam i gatshëm të përballem me të në Gjykatë, sepse të gjitha ato që ai i ka shkruar kundër meje kanë qenë shpifje. Jo shumica e gjërave që i ka thënë, por 100 për qind [të konstatimeve, v.j] kanë qenë të pavërteta”, ka thënë Gashi.

Gashi është shprehur se Phillips është shërbyer nga njerëz të tjerë në Kosovë për t’i dhënë konstatimet lidhur me “milionat” e SHIK-ut.

“Përpos faktit që unë kam qenë drejtor i Shërbimit, asgjë tjetër që ai ka thënë nuk janë të vërteta”, ka thënë Gashi, teksa ka shprehur bindjen se Phillips është paguar për të përlyer emrin e tij dhe Shërbimit Informativ të Kosovës. “Ai është paguar për t’i dhënë ato gjëra”.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i SHIK-ut ka deklaruar se është krenar me veprimtarinë e tij, si në kohën e luftës, ashtu edhe pas luftës. Gashi ka thënë se Phillips kishte publikuar analizën për SHIK-un në kohën kur ai po mbahej në burg, sipas tij, padrejtësisht për “krime lufte”.

“Unë kam qenë në burg në kohën kur ai [Phillips, v.j] kishte publikuar shkrimin. Ka qenë periudhë e vështirë për familjen time, por edhe për mua personalisht”, ka deklaruar Gashi.

Latif Gashi kishte vendosur të shkonte vullnetarisht në mbajtje të dënimit në vitin 2016, kur kishte dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Gashi e kishte quajtur të padrejtë vendimin e dy shkallëve të para të gjykatave në vend, të cilat e dënuan atë me 6 vjet burgim.

“Për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut kurrë nuk është bollë të sakrifikohesh”, pati thënë Gashi, në një postim në rrjetin social Facebook në vitin 2016, kur edhe kishte kumtuar lajmin.