21:59 / E Martë, 31 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

Gashi: Korrigjimi i kufirit me Serbinë, zgjidhje me e mirë sesa Asociacioni

Analisti Dradan Gashi, ka dhënë opinionin e tij për situatën aktuale në të cilën është Republika e Kosovës, të cilës është duke iu kërkuar nga ndërkombëtarët që ta themeloj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Gashi ka vlerësuar se korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Po të pyetësha unë, korrigjimi i kufirit me Serbinë do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse dy popujt nuk po munden të jetojnë së bashku, as shqiptarët në Serbi as serbët në Kosovë. Por, kjo ide është refuzuar, kryesisht me mjete të propagandës jo vetëm brenda Kosovës por edhe nga shtetet e tjera. Po tani jemi duke vajtuar ‘JO Republika Serpska’ ”, ka deklaruar analisti.

Sipas Gashit në një letër që e kishte dërguar presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Kosovë para dy viteve, kishte pasur kërkesë që të bëhet marrëveshja me njohje të ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi rrëshqitur nga letra e Biden-it në një propozim evropian të Bashkimit Evropian, i cili është mjaftë i paqartë se çfarë sjellë në fund ai propozim. Këtu është problemi”, ka theksuar Gashi.

Më tej, ai ka thënë se do të ishte me lehtë nëse do të kishte qenë njohja në qendër për Kosovën si shtet nga Serbia.

“Më njohja si parim nuk është, sepse përfaqësuesit amerikanë na kanë njoftuar duke na thënë hapur që njohja nuk është temë. Deri tani nuk ka ndryshuar ai qëndrim. Problemi është jo sa ka për t’i bërë dëm Asociacioni Kosovës kështu siç është prezantuar dje. Por, tema është sa do t’i bëjë kryeministri Albin Kurti, dëm Kosovës”, ka përfunduar ai.