18:46 / E Hënë, 05 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Gashi: Mungesën e Deharit më së shumti e vuajnë familjarët e tij, e bija e tij

Janë bërë dy vite që kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjend pa shenja jete në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Ndërkaq, sot familjarët e miq të shumtë folën për dhembjen dhe mungesën që ndjejnë për të.

E bija e tij, Asra u paraqit me një fanellë të veçantë, e cila mbante mbishkrimin “Drejtësi për babain tim”.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, thotë se më së shumti mungesën e Deharit e vuan familja e tij, e bija e tij.

“Më së shumti e vuan familja e tij, fëmija i tij i cili sot ka pasur edhe një veshje unike që ka sjellë një dhembje të paparë, Asra, ajo nuk ka qenë fare e lindur kur ka vdekur babai i saj .. të gjithë aktivistët e VV kanë mbajtur fanella me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”, kurse ajo ka pasur “Drejtësi për Babain”, dhimbjen më të madhe e kanë familjarët.”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Sipas tij, i dhimbshëm është fakti që tashmë është vërtetuar se ai është vrarë e jo vetëvrarë siç kishte aluduar në fillim nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Është vërtetuar tashmë që Astrit Dehari tashmë është vrarë në Qendrën e paraburgimit në Prizren, para dy viteve. Faktikisht në ditën e sotme të vitit 2016, dhe ka qenë për arsye se ai ka qenë padrejtësisht I burgosur për rastin e montuar me hetimin e gjashtë aktivistëve të LVV atë kohë për kinse goditjen me granata hedhës të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ky gjest i mbajtjes në paraburgim është vrarë nga persona që ne nuk mund t’i identifikojmë pasi nuk i dijmë, është vrarë në institutin ku është dasht që jeta e tij të jetë krejtësisht e sigurt, ai është burgos për shkak të aktivitetit politik si pjesëtar i LVV-së.”, ka theksuar tutje ai.

Sipas tij është padrejtësia më e madhe, rasti më i dhimbshëm që ka ndodhur në Kosovë që një djalë iI ri 26 vjeçar të vritet në qendrën e paraburgimit në Prizren, në një institucion e kontrolluar krejtësisht nga organet shtetërore të Kosovës.

 

Tutje, Gashi thotë se janë në fazën e pritjes së raportit nga Instituti i Mjekësisë në Lousanë të Zvicrës.

“Rasti është dërguar në institutin në institutin e mjekësisë në Lousanë të Zvicrës dhe tani jemi në fazën e pritjes të raporteve që ata do të bëjnë. Unë, besoj që një prej arsyeve të vonesës së këtij rasti, është edhe përkthimi i rastit i cili është shumë voluminoz.”, ka shtuar ai. /Indeksonline/