23:57 / E Mërkurë, 31 Gusht 2022 / A. M.

Gashi për marrëveshjen Kosovë-Serbi: Nuk ka asgjë të re, është marrëveshje e vitit 2011

Analisti, Dardan Gashi ka thënë se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asgjë e re por vetëm zbatim i marrëveshjes së vitit 2011.

I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, krahas analistëve, njohësit të mardhënieve ndërkombëtare dhe anëtares nga radhët e PSD-së, Gashi ka insistuar se implementimi i dokumenteve nuk ka asgjë për t’u mburrur.

Sipas tij, edhe nga Kryeministri Kurti dhe nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq nuk është referuar si marrëveshje e re por si implementim.

“Në kohën kur Kurti i shante këto marëveshje në qofë se i kishte përkrah nashta kishim ec përpara”, ka thënë Gashi gjersa ka theksuar se Kurti dikur i frenonte këto çështje ndërsa sot i duken shumë në rregull.

Ai e ka cilësuar këtë sikurse “një ngrohje e gjellës” për të cilën, Kurti mundet të shpallë fitore sa herë të dojë.

Sipas analistit, Ylli Hoxha, Qeveria Kurti ka përfituar nga dy qeveritë paraprake, nga ajo e Thaçit dhe Mustafës mirëpo për dallim nga ta, sipas Hoxhës, Kurti ka vendosur t’a zbatojë atë.

“Një fenomen i rëndësishëm që duhet diskutuar është se Kurti ka provuar të bëj diçka që se kanë bërë qeveritë e kaluara, t’a imponojë një vendim që përfshinë gjithë territorin e Kosovës. Kurti ka thënë e kam vendosmërinë për t’a bërë këtë dhe kjo vendosmëri ju ka shpaguar”, ka thënë ai.

Arbnor Sadiku, njohës i mardhënieve ndërkombëtare, thotë se tashmë është publike se Qeveria Kurti ka ndryshuar qëndrimet të cilat i mbante dikur.

“E dimë që marrëveshja e rritu nga zëvëndëskryeministrja të kohë znj. Tahiri ka qenë e mirë duhet të i’a japim kreditë për atë mirëpo nuk është e zbatuar në praktikë. Fatmirësisht, kjo qeveri në momentin që ka ardhur po e zbaton pas diskutimit me palën serbe në Bruksel”, ka thënë ai.