11:45 / E Enjte, 01 Korrik 2021 / OSH

Gashi për shkarkimin e bordeve: Janë veprime antikushtetuese, s’mund të ketë emërime individuale e shkarkime kolektive

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se shkarkimi i bordeve dhe veprime tjera të Qeverisë Kurti janë të gabuara, në kundërshtim me ligjin dhe antikushtetuese.

Kështu u shpreh Gashi pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku u vendos që seanca e radhës të mbahet të mërkurën, ku do të ketë edhe debat parlamentar për marrëveshjen e Washingtonit.

“Nuk e kemi të qartë se cilat janë qëndrimet e Qeverisë aktuale. Ne jemi të gatshme që të mërkurën në seancë të debatojmë, të diskutojmë. Presim që kryeministri Kurti të jetë në këtë seancë”, tha Gashi.

I pyetur për shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, Gashi tha se ato janë vendime antikushtetuese.

“Janë vendime dhe veprime të gabuara, në kundërshtim me ligjin dhe antikushtetuese. Këto vendime që po i merr Qeveria aktuale, janë të rrezikshme për vendin. Parimi bazë është që të gjithë personat janë zgjedhur në mënyrë individuale dhe vlerësimi individual për secilin institucion ose person edhe vendimi për shkarkim duhet të jetë individual. Nuk mund të ketë zgjedhje individuale e të ketë shkarkim kolektiv”, tha Gashi para gazetarëve.