20:21 / E Hënë, 11 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Gashi: Thaçi duhet të tregojë pse po i ndryshon deklaratat për Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale shumë shpejt do të nis punën me akuzat e para, marrë parasysh që infrastruktura ligjore tanimë është e gatshme.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dukshëm ka ndërruar qëndrim sa i përket kësaj çështje, ani pse dy vite më parë ‘luftoi’ të miratohet ligji për votim.

“Absolutisht gjendja ka qenë tepër kaotike në gushtin e vitit 2015 kur ka ardh në Kuvendin e Kosovës kërkesa për votimit për Gjykatën Speciale dhe juve ju kujtohet që kanë qenë disa seanca zyrtare, mirëpo paraprakisht njëherë nuk është mbajtur seanca për Gjykatën Speciale kinse për shkak se nuk ka pas kuorum, dhe në rastin e parë deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë arritë numrin e 2/3 të deputetëve të nevojshëm për votimin e Gjykatës Speciale ngase një pjesë e deputetëve dhe të vetë PDK-së nuk e kanë votuar këtë.”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Gashi, ia kujton kohën Thaçit se si u kishte bërë presion deputetëve të partisë së tij të votojnë ligjin Gjykatën Speciale.

“Në atë kohë në cilësinë e kryeministrit, Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se nëse deputetët e partisë së tij që e ka thënë në cilësinë e kryetarit të partisë se nëse nuk e votojnë ligjin për Gjykatën Speciale atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe ata deputetë që nuk e kanë votuar GJykatën Speciale nuk do të jenë në listën e PDK-së për deputetë të ardhshëm. Kjo ua ka ndërruar mendjen dhe përafërsisht pas një jave, e kanë ndërruar bindjen e tyre dhe e kanë votuar Gjykatën Speciale e cila është jashtëzakonisht e keqe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, por në veçanti për shqiptarët e Kosovës e veçmas ish- pjesëtarët e UÇK-së të cilët do të gjinden të akuzuar shumë shpejt në Gjykatën Speciale tanimë që infsatruktura ligjore e gjithçka tjetër është gati.”, ka theksuar ai.

Sipas Gashit, çdo gjë ka qenë me paramendim dhe disa persona mund të kenë ‘shpresuar’ se disa emra mund të largohen nga lista e të akuzuarve.

Ai ka thënë se Thaçi duhet të tregojë pse po i ndryshon deklaratat e tij rreth Speciales.

“Unë besoj se tani z.Hashim Thaçi tani deklaratat që i jep në cilësinë e kryetarit të shtetit janë paksa jo në përputhje me atë që ka folur dy vite më herët dhe për këtë sigurisht ai që ka arsye të veta të cilat besojë se do të duhej t’i thotë për shkak se është një ndryshim drastik me atë të 2015 dhe dy vite më vonë që i bie tani, mirëpo deputet e Republikës së Kosovës kanë qenë në presion sepse askush si përfaqësues i popullit që është deputet nuk do të duhej të votonte kundër shtetit të vet, kundër interesave nacionale të Kosovës, kështu që gjithçka ka qenë me paramendim dhe ndoshta ka qenë presioni i personave që kanë dasht të bëjnë edhe favore Bashkësisë Ndërkombëtare duke pretenduar se emrat e tyre eventual do të fshihen nga lista e të akuzuarve”, ka shtuar ai.