17:22 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Gati 600 mijë dokumente identifikimi u prodhuan për një vit e tre muaj në Kosovë

Numri i qytetarëve që aplikojnë për dokumente identifikimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mjaftë i lartë.

Për një vit e tre muaj, MPB-ja ka prodhuar 559 mijë e 594 dokumente identifikuese.

“Dokumente të prodhuara nga 01.01.2017 deri me 31.03.2018 janë gjithsej Dokumente – 559594”, thuhet në përgjigjën e MPB-së për Indeksonline.

Nga këto dokumente, shumë prej qytetarëve aplikojnë për pasaporta biometrike që të udhëtojnë jashtë vendit.

Që nga data 1 janar e vitit të kaluar e deri në fund të muajit mars të këtij viti, janë prodhuara 217 mijë pasaporta.

Ndërsa, për letërnjoftime biometrike janë 254 mijë e 427 aplikantë.

“Dokumente të prodhuara janë: Dokumente – 559594; letërnjoftime biometrike – 254427; pasaporta biometrike – 217016; patentë shofer – 88151”, thuhet me tutje në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Zyrtarë për Komunikim Publik në këtë Ministri kanë bërë të ditur se të kaluarën gjatë muajve të pushimeve verore ka pasur rritje të numrit të aplikuesve, ku edhe këtë vit pritet të jetë ngjashëm.

Ndryshe të gjithë qytetarët që posedojnë letërnjoftim biometrik mund që të kalojnë kufirin nga Kosova për në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni. Madje, janë disa persona të cilët lirohen nga pagesa siç parashihet edhe me ligjin.Nr.108/2016. Sipas ligjit përkatës në fuqi, me rastin e pajisjes me pasaportë personat me aftësi të kufizuar të kategorizuara, invalidët e luftës, veteranët, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarët e dëshmorëve lirohen nga pagesat. Ndërsa pagesa për pasaportë për persona mbi 18 vjet është – 30 euro. Pagesa për pasaportë për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare është – 20 euro. Pagesa për pasaportë për pensionistet – 15 euro”./Indeksonline/