14:01 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Gati përgjysmë më pak grabitje sivjet, në Prishtinë

Tri raste të grabitjeve kanë ndodhur gjatë kësaj jave në rajonin e Prishtinës, dy në qendër të qytetit e një në fshatin Besi. Për rastin e fundit, viktima ka raportuar se derisa ishte duke lëvizur në drejtim të shtëpisë së tij është ndalur nga dy të dyshuar të maskuar dhe ata ia kishin marrë nga xhepi kuletën me para rreth 130 euro si edhe dokumentet personale. Edhe në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë dy persona të maskuar i kanë grabitur kuletën një personi.

Ndërsa grabitja tjetër ka ndodhur në një barnatore ku një person i panjohur, i maskuar dhe i armatosur nën kërcënimin e armës kishte arritur të grabiste një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme.

Të tria rastet është duke i hetuar me intensitet Policia Rajonale e Prishtinës, raporton IndeksOnline.

Por, pavarësisht këtyre rasteve, këtë vit ka pasur rënie të theksuar të grabitjeve në rajonin e Prishtinës.

Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë ka thënë për IndeksOnlinen se këtë vit ka rënie të grabitjeve për 43.67%.

“Gjatë vitit 2018, nga janari deri në nëntor, ishin raportuar 261 raste të grabitjeve, ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij vitit kanë ndodhur 147 raste të grabitjeve, që do të thotë ka rënie për 43.67% të grabitjeve”, ka thënë Ahmeti.

Hetuesit rajonal kanë bërë një punë të madhe përgjatë këtij viti në zbulimin e rasteve të grabitjeve dhe arrestimin e të dyshuarave. Kjo ka ndikuar në uljen e numrit të grabitjeve sivjet. Rasti i fundit ku është arrestuar personi i përfshirë në grabitjen e ndodhur para një viti në një pompë të benzinës në periferi të Prishtinës, është bërë të shtunën në Drenas./IndeksOnline/