19:29 / E Martë, 11 Gusht 2020 / C E

Gattuso shtyn diskutimin për rinovimin, me De Laurentiis foli për merkaton

Te Napoli nuk kanë aspak nxitim për rinovimin me Gattuson dhe sipas mediave pranë klubit, takimi i djeshëm mes teknikut dhe presidentit Aurelio De Laurentiis, nuk ka pasur aspak në qendër të vëmendjes kontratën e re.

Kjo pasi palët kanë sistemuar pjesën më të madhe të detajeve për të rinovuar, ndaj në shtëpinë e De Laurentiis në Capri biseda u përqendrua te merkatoja, pasi Napoli pritet të jetë shumë aktiv këtë verë.

Kjo pasi shumë emra nuk bëjnë pjesë në planet e Gattusos, ndërsa të tjerë janë me valixhet gati pasi kanë refuzuar të rinovojnë kontratën dhe për këtë arsye trajneri e presidenti kanë folur gjerë e gjatë për të vënë pikat mbi “i”.

Kështu Allan, Ghoulam, Malcuit, Ounas, Younes, Milik, Llorente, Koulibaly e Hysaj janë futbollistët që pritet të lënë Napolin këtë verë për arsye të ndryshme, ndërsa Gattuso ka kërkuar një mbrojtës të majtë dhe një futbollist që të zëvendësojë Jose Callejon.

Skuadra e Napolit do të nisë grumbullimin për përgatitjet e kampionatit më 23 gusht dhe mësohet se Gattuso i ka bërë të qartë presidentit De Laurentiis edhe tipin e kundërshtarëve që do të donte të përballonte në miqësoret përgatitore.