75 Mall Live Search
10:47 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Gazetarët e Kosovës thonë se janë lënë vetëm në ‘luftën’ për të vërtetën

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka mbajtur sot një aksion protestues për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë që nuk po i zbardh rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, raporton AktivPress.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të mos i lënë vetëm gazetarët në mbrojtjen e së vërtetës.

“Ne si qytetarë dhe si komunitet i gazetarëve kemi besu që lufta ka përfunduar në vitet 99, por ne jemi në një luftë duke pasë shumë kundërshtarë. Në këtë luftën tonë për të vërtetën duket se jemi të vetëm, po dëshmohet se sistemi i drejtësiosë po tregohet neglizhent”, tha Hysenaj.

Ai tha se ka ardhur koha që institucionet të reflektojnë për këtë shqetësim të gazetarëve.

“Jemi në një fazë kur gazetarët së bashku e kanë të pamundur të ndryshojnë logjikën që po na dëmton si komunitet, Me qëllim jemi mbledh para Qeverisë dhe Kuvendit. Ka ardhë koha që nga qeveria, kuvendi, gjykatata, e prokuroria të mendojnë seriozisht për sigurinë e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së mediave dhe të shprehjes”, shtoi ai.

Kreu i AGK-së njoftoi se deri në këtë muaj janë raportuar 19 raste në polici për sulm ndaj gazetarëve.

“Vetëm deri në këtë muaj 19 raste janë të raportuara në polici, me të cilat po dështon të merret dhe t’i trajtojë seriozisht drejtësia. Edhe sot e kësaj dite s’ka të arrestuar as për rastin e sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri dhe të tjerëve gazetarë” përfundoi Hysenaj.

Ndërkaq, kryeredaktori i gazetës online “Insajderi”, Vehbi Kajtazi i cili ishte pre e sulmit fizik dje në Prishtinë tha se situata për sigurinë e gazetarëve është duke u përkeqësuar.

Sipas tij të gjitha sulmet ndaj gazetarëve janë të lidhura me pushtetin dhe partitë politike.

“Shqetësuese është që ky presion e së fundi edhe me sulme fizike ndaj gazetarëve është i vazhdueshëm. Të gjithë sulmuesit janë të lidhur me politikën, pushtetin, që nuk e durojnë punën dhe shkrimet tona, dhe provojnë të na ndalin. Sulmi i fundit ka ndodhë për shkak të punës sime. Është i lidhur direkt me personazhet e shkrimeve që i kam pas. Sulmuesi është identifiku dhe shpreosj se do të dalë para drejtësië”, tha Kajtazi.

Ai shtoi se do të vazhdojë që përmes hulumtimeve e shkrimeve të tij të luftojë kriminalitetin në Kosovë.

“Sulmi nuk ndikon në punën time, do të vazhdojë me shkru dhe të merren me këta nejrëz dhe ta nxjerrë në publik kriminalitetin e njerëzve të fuqishëm në këtë vend që janë deputetë e ministra”, theksoi Kajtazi./AktivPress

 

Foto: Ekonomia Online