23:39 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Ministri i jashtëm shqiptar: Kosova kurrë s’do të jetë pika e fundit bilaterale për Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka folur për raportet mes dy shteteve shqiptare, Kosovë-Shqipëri.

Ai duke komentuar taksën 100% që Kosova i ka vënë produkteve serbe, ka thënë në ‘Opinion’ të Blend Fevziut se Shqipëria e mbështet këtë veprim, transmeton Indeksonline.

“Mbështesim çdo pozicion që marrin institucionet e Kosovës. Çdo vendim që merr Kosova është edhe i Shqipërisë”, ka theksuar Cakaj.

Sipas tij, Shqipëria ka tri parime në raport me Kosovën. Së pari, siç ka thënë ai, Shqipëria ka rol mbështetës, por jo ndërhyrës në punët e Kosovës. Parimi i dytë është dialogu me njohje të ndërsjellët, si dhe parimi i tretë është se Shqipëria mbështet marrëveshjet e Kosovës të ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA-ve.

“Unë flas për parimet politike të institucioneve të Shqipërisë e jo për mundësitë që shpalosen në rajon. Si Ministri e Punëve të Jashtme , për ne Kosova nuk do të jetë pika e fundit bilaterale, por do të marrim masat tona shumë shpejt dhe do të bëhen publike”, ka potencuar Cakaj.

Ai po ashtu foli edhe për pritjet nga takimi që do të mbahet të hënën më 29 prill në Berlin, ku do të marrin pjesë përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë.

“Parapëlqej të flas për rezultate sa i përket takimit, e flas për këtë pas takimit. Takimi do të jetë rivlerësim i bashkëpunimit rajonal dhe diskutim i domosdoshmërisë së marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë tutje Cakaj. /Indeksonline/