Gërvalla: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do jetësohet
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet.
“Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, sepse nuk ka rrugë tjetër për një shtet që synon drejtësi, barazi para ligjit dhe integritet institucional. Sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë. Falënderojmë të gjithë qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi. As edhe një koment i vetëm i pranuar nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë përgjigje. Çdo kontribut do të shqyrtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, me qëllim që të kemi një ligj sa më të plotë, funksional dhe të qëndrueshëm”, ka shkruar Gërvalla në “Facebook”.
Sipas saj, krijimi i kësaj Byroje është një domosdoshmëri shtetërore dhe një zotim i qartë për forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Pasuria e pajustifikueshme, e krijuar mbi kurrizin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Republikës, nuk mund të mbetet e paprekshme. Ajo duhet të verifikohet, të konfiskohet kur nuk justifikohet me burime të ligjshme dhe t’u kthehet qytetarëve, të cilëve u takon. Sepse në Republikën e Kosovës ligji nuk njeh të paprekshëm. Askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin, dhe askush nuk mund të pasurohet në kurriz të interesit publik pa u përballur me drejtësinë”, tha ajo.

