75 Mall Live Search
17:48 / E Mërkurë, 01 Prill 2026 / Z S

Gërvalla: Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë

Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë.

Kështu ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla pas vizitës që zhvilloi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas Gërvallës, parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis.

Postimi i plotë:

Qasja jonë ndaj korrupsionit nuk njeh tolerancë. Parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij, në të gjitha format e tij, është zotim i yni i çdoditshëm, absolut dhe i pakompromis.

Gjatë ditës vizitova Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe me drejtorin, z. Yll Buleshkaj dhe ekipin e tij, diskutuam mënyrat për të forcuar transparencën, integritetin dhe llogaridhënien në institucionet publike.

Çdo mekanizëm parandalues dhe çdo hap ligjor që ndërmarrim ka një qëllim të vetëm e të qartë, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit si dhe llogaridhënie për abuzuesit.

Njëkohësisht, zbatimi i rreptë, me guxim e vendoshmëri i legjislacionit mbetet çelësi për një sistem publik të fortë dhe me llogaridhënie.

Folëm gjithashtu për mundësinë e avancimit të kornizës ligjore, normimin e standardizuar dhe profesional të Konfliktit të Interesit, si dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativa ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit Rajonal për Shkëmbimin e të Dhënave, njëra ndër temat e diskutimit, do të mundësojë verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë jashtë vendit, duke rritur transparencën dhe përgjegjësinë në nivel ndërkufitar.

Ministria e Drejtësisë bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet që janë pjesë e reformës në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dhe ky bashkëpunim në vazhdimësi do të thellohet në të ardhmen.

Si Ministre e Drejtësisë, mbetem e vendosur që parandalimi i korrupsionit dhe luftimi i tij në çdo formë të shfaqjes së tij të jetë i pakompromis. Qytetarët e Republikës sonë duhet të kenë institucione të besueshme, transparente dhe të forta, që nuk i tolerojnë shkeljet e ligjit dhe shkelësit, dhe një shtet ku sundimi i ligjit nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme e secilit prej nesh./Indeksonline/