09:51 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / OSH

Gërxhaliu dhe Gjini i përgjigjen Vuçiqit: S’ka varreza në Gjakovë, në Rashkë duhet të hapet dhe të shikohet

Pretendimet e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, se në Kizhevak të Rashkës  do të gjenden 15 trupa të shqiptarëve të varrosur në këtë varrezë masive, sipas Arsim Gërxhaliut nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk mund të vërtetohen plotësisht derisa të bëhet hapja e kësaj varreze, e cila ende nuk ka nisur.

Ai në një deklaratë dhënë IndeksOnlinet, ka thënë se ka pasur pretendime se aty gjenden diku, 14 apo 16 trupa, por se kjo mund të vërtetohet sapo të bëhet hapja e kësaj varreze.

Pavarësisht kësaj Gërxhaliu është i bindur se autoritetet serbe duke qenë organizatorë të këtyre veprimeve, sigurisht që kanë informacione.

 “Atë informatë s’e kam. ka fjalë, numra të ndryshëm 14, 16, pa e çelë varrezën nuk e aplikoj, ata e kanë informatën, sigurisht se janë organizator të këtyre veprime”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij aktualisht autoritetet serbe janë duke kryer aspektin logjistik, duke montuar kontejnerët, duke dërguar ujin dhe të gjitha gjërat e nevojshme që duhen për hapjen e kësaj varreze.

Siç ka thënë Gërxhaliu me këtë dinamikë të punës, javën tjetër presin që të nisin punimet.

Ndërkohë pretendimet e tij se edhe në Gjakovë ka mbetje të trupave serbe, i ka mohuar Gërxhaliu, duke thënë se për një informacion të tillë nuk kishte dëgjuar asnjëherë.

“Jo nuk kam dëgjuar asnjëherë për një të dhënë të tillë”, ishte përgjigjja e Gërxhaliut.

Njësoj është përgjigjur për IndeksOnlinen dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. Ai ka thënë se një informacion i tillë nuk qëndron.

“Nuk kam fare informacion dhe nuk besoj se diçka e tillë qëndron”, ishte përgjigjja e Gjinit.

Ndryshe presidenti serb, Aleksander Vuciq, ka konfirmuar se janë gjetur eshtrat e 15 personave nga gërmimi në Rashkë të Serbisë.

Aksioni për gjetjen e eshtrat të këtyre personave, sipas Vuçiqit, nuk u bënë pa dijeninë dhe miratimin e autoriteteve serbe, transmeton Indeksonline.