15:12 / E Premte, 12 Korrik 2019 / indeksADMonline

Gjakova i siguron Kosovës medalje, kualifikohet në finale

Nora Gjakova e ka ndjekur hapin e Distria Krasniqit në Grand Prixin e Budapestit, në Hungari, duke u kualifikuar në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë.

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, e mposhti me ippon xhudisten nga Panamaja, Miryan Roper, duke e siguruar kështu të paktën medaljen e argjendtë. Megjithatë, Gjakova synon ta marrë në shtëpi të artën.

Gjakova e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti rusen Daria Dzhigaros, e cila e kishte mposhtur xhudisten nga Tunizia, Ghofran Kleifi, në rundin e parë.

Në rrethin e tretë, kosovarja triumfoi kundër fildishiases Zouleiha Abzetta Dabonne, ndërsa në çerekfinale, kosovarja 26-vjeçare u tregua shumë e fortë për bullgaren Ivelina Ilieva, të cilën e mposhti për ta vazhduar edhe më tutje rrugëtimin në Hungari.

Majlinda Kelmendi tani do të garojë për medaljen e bronztë, ndërsa Distria Krasniqi e ka zënë një vend në finale të kategorisë së saj.