11:48 / E Hënë, 20 Maj 2024 / k.v

Gjakova ndalet nga bartësi i parë

Akil Gjakova ka garuar të hënën në Kampionatin Botëror të Xhudos në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjakova u paraqit në kategorinë deri 73 kilogramë, që është prej kategorive me konkurrencën më të fortë.

Në xhiron e parë nuk pati telashe. Fitoi shpejtë e bindshëm ndaj Faye Njie të Gambisë.

Në xhiron e dytë, Gjakova e kishte përballë bartësin e parë të Botërorit, Hidayat Heydarov të Azerbajxhanit.

Lufta me të ishte e fortë, por Heydarov shënoi fitore. Me hedhje të bukur siguroi uazari e më pas edhe një uazari tjetër për fitore me Ippon.

Shorti nuk e ka favorizuar xhudistin kosovar, që po ashtu nuk ishte bartës.

Heydarovi është prej më të mirëve në botë. Ndaj tij Akili kishte fituar në Evropianin e hapur në Prishtinë, dhjetorin e kaluar. Po tashmë i ka pesë humbje me Heydarovin.

Të martën në Kampionat Botëror garon Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë.