12:08 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

Gjashtë muaj, kryeministër në detyrë

Pasnesër, me 19 janar, bëhen gjashtë muaj prej kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ky veprim, sipas Haradinajt u bë pasi ai mori një thirrje nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar.

Prej asaj kohe, Haradinaj vazhdon të mbetet kryeministër në detyrë, pasi që partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po mundet të gjejë partner për të bashkëqeverisur, shkruan IndeksOnline.

Lideri i VV-së, Albin Kurti kishte premtuar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nënshkruante marrëveshjen e koalicionit me Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo nuk ndodhi, edhe pse ata u takuan me dhjetëra herë për të gjetur një zgjidhje.

Tani gjasat për t’u nënshkruar koalicioni janë më të pakta se kurrë më parë, pasi që të dy partitë e para janë barrikaduar duke i vendosur kushte njëra- tjetrës.

Nga ana tjetër, presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka dërguar disa letra liderit të VV-së, që të marrë mandatarin për të formuar Qeverinë, mirëpo një gjë e tillë po refuzohet nga Kurti, pasi ai ende nuk i ka siguruar 61 vota./IndeksOnline/