11:32 / E Enjte, 25 Mars 2021 / k.v

Gjashtë persona rrahin dy meshkuj dhe një femër në qendër të Prishtinës

Dy meshkuj dhe një femër janë rrahur nga një grup prej gjashtë personave në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, raporton IndeksOnline.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, kurse të lënduarve u është ofruar trajtimi mjekësor.

Rrahja ka ndodhur të martën rreth orës 20 e 30 minuta, mirëpo ende nuk është njoftuar për arrestimin e të dyshuarve.

“Është raportuar një rast rrahjeje midis disa personave, ku në vendin e ngjarjes nga policia janë hasur viktimat: dy meshkuj dhe një femër të gjithë kosovarë, të cilët kanë deklaruar se janë sulmuar fizikisht nga një grup prej gjashtë personave të rinj, që disa prej tyre i kanë identifikuar dhe ata janë larguar prej vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të lënduarve u është ofruar ndihma mjekësore, ndërsa njëri prej të lënduarve, pas ndihmës mjekësore është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor./IndeksOnline/