16:25 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / Blerim

Gjenden mbetje mortore në veri të Mitrovicës

Në varrezat e shqiptarëve myslimanë në veri të Mitrovicës janë gjetur eshtrat e dy personave, viktima të luftës, ndërsa po bëhet përpjekjeje edhe për gjetjen e eshtrave të personit të tretë.

Lajmin e ka konfirmuar, Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për Persona të Pagjetur.

“Sot jemi rikthyer për të katërtën herë në lokacionin e varrezave të shqiptarëve myslimanë në veri të Mitrovicës të gjetjes së viktimave të luftës. Si rezultat i gërmimeve të realizuara sot janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të të paktën dy personave viktimave të luftës. Për momentin është duke u bërë përpjekje edhe për gjetjen e personit të tretë që mund të jetë një nga personat e zhdukur, por megjithatë të shohim dhe duhet ende edhe pak kohë në qoftë se do të arrijnë të gjejmë dhe zhvarrosim edhe këto pjesë mortore”, ka theksuar  Gara.

Gara ka vënë në dukje se si rezultat i gërmimeve për gjatë tre muajve janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore për gjashtë viktimat e luftës.

“Si rezultat i katër këtyre aktiviteteve gërmuese gjatë këtyre tre muajve muaji gusht, shtator dhe dy aktivitete të muajit tetor deri më tani janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore për gjashtë viktima të luftës”, theksoi Gara.

Ndërkaq, ai ka treguar edhe për vështirësitë meqë gërmimet po bëhen brenda varrezave e ku duhet kujdes i shtuar për të evituar zhvarrosjen e eshtrave që nuk i përkasin viktimave të luftës.

“Sigurisht që vështirësitë tani janë evidente në raste të tilla për shkak se është hapësirë brenda varrezave dhe punohet me shumë kujdes për të evituar mundësin e zhvarrosjes së eshtrave që nuk i përkasin viktimave të luftës që do të thotë është më se e nevojshme që të jetë informacioni sa më i saktë, në këtë rast po flas edhe për mundësinë e informatave nga arkivat e ish-institucioneve të Serbisë dhe është shumë me rëndësi me potencu që duhet të bëjë thirrje tek qytetarët që kanë varrosur të afërmit apo familjarët e tyre pas luftës në këtë hapësirë të varrezave por edhe varrezave tjera të qyteteve të mëdha në rast të hasjes në eshtra ose mbetje mortore atëherë gjithsesi të njoftojnë institucionet kompetente të Republikës së Kosovës”, tha Gara.