12:58 / E Mërkurë, 28 Prill 2021 / OSH

Gjendet e ngordhur një arushë në Prizren

Drejtori i Inspektoriatit në Prizren, Edon Muçaj ka njoftuar gjetjen e një arushe të ngordhur në Korishë të Prizrenit.

Sipas dyshimeve të para, ngordhja e arushës mund të jetë për shkak të moshës së shtyer.

“Mbrëmë nga disa qytetarë jemi njoftuar se është hasur një arushë e ngordhur në fshatin Korishë me ç’rast inspektorët e veterinarisë menjëherë kanë dalur në vendngjarje për të shikuar rastin.

Sipas dyshimeve të para bëhet fjalë se ngordhja e arushës ka ardhur si rrjedhojë e moshës së shtyer apo ndonjë sëmundje. Për këtë rast janë njoftuar menjëherë edhe organet e tjera përgjegjëse!

Ngordhja e këtyre kafshëve është humbje e madhe për natyrën dhe bjeshkët tona” thuhet në njoftimin e drejtorit./Indeksonline/