18:39 / E Diele, 15 Mars 2020 / indeksADMonline

“Gjendja e të infektuarve me koronavirus është stabile”

Edhe pse ishim ndër vendet e fundit që u prekëm nga virusi COVID-19, tashmë numri i të infektuarve është pesë.

Ky numër ka gjasë të rritet, për shkak që të infektuarit patën kontakte të shumta me njerëz por që nuk do të thotë se nuk tejkalohet.

Lidhur me gjendjen e tyre, Indeksonline ka kontaktuar Drejtoreshën e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha.

Doktoresha tha shkurt se gjendja e të infektuarve me koronavirus është stabile.

“Gjendja deri në këto momente është stabile”, deklaroi Lindita Ajazaj-Berisha.

Kurse sipas informacioneve shtesë thuhet se të shtruarit në Klinikën Infektive në QKUK si pasojë e infeksionit me COVID-19 nuk kanë nevojë për ndonjë terapi shtesë, përveç atyre që merren.

Vetëm i moshuari 77 vjeçar herë pas herë i duhet të marrë oksigjen.

Teksa qytetarët po mundohen të qëndrojnë sa më shumë brenda, tashmë dy komuna janë karantinuar.

Ajo e Vitisë me datën 13 mars dhe komuna e Malishevës nga mbrëmja e kaluar.

Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash në mënyrë që vendi ta kalojë sa më lehtë këtë gjendje pandemike./Indeksonline/