23:35 / E Hënë, 22 Janar 2018 / indeksADMonline

Gjendja shëndetësore e dëshmitarit shtyn gjykimin për terrorizëm

Në gjykimin ku Gazmend Haliti akuzohet për pjesëmarrje në terrorizëm, parashihej të dëshmonte Fitim Dema.

Në seancën e kaluar, pas fjalës hyrëse parashihej të dëshmonte Fitim Dema, por ai nuk u paraqit në gjykatore ndonëse u tha se ka pranuar ftesën e rregullt.

Mungesa e tij bëri që gjykata të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Por i njëjti nuk është sjellë as sot në Gjykatë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Këtë e bëri të ditur vet kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

“Nuk është paraqitur dëshmitari Fitim Dema për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij në gjykatë, por gjykata është informuar nga stacioni policor se ky dëshmitar nuk është mirë me shëndet. Sjellja e tij në gjykim ka qenë e pamundur për shkak të gjendjes së tij shëndetësore”, tha Hoti.

Po ashtu, gjykatësi Hoti tha se gjykata jo zyrtarisht ka mësuar se i njëjti e ka deklaruar se nuk ka se çfarë të dëshmojë në këtë shqyrtim gjyqësor dhe vetëm pret që të shkojë në vuajtje të dënimit për veprën penale që ka aktgjykim të formës së prerë.

Fitim Dema aktualisht është i dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vjetësh e 6 muajve për pjesëmarrje në grupin terrorist “ISIS” në një çështje tjetër penale dhe pritet të vuajë dënimin pasi të bëhet aktgjykimi i plotfuqishëm.

Lidhur me këtë dëshmitar, prokurorja Merita Bina- Rugova, tha se do të deklarohet pas një kohe të caktuar se a do të mbesë pranë kërkesës për ta dëgjuar apo jo.

“Do të deklarohem më vonë lidhur me këtë dëshmitar deri sat ë vërtetohet fakti se a do të sigurojmë një dëshmitar tjetër që kërkon të mbetet anonim. Nëse realizohet kjo kërkesë atëherë do të heq dorë nga ky dëshmitar”, tha Bina- Rugova.

Seanca e radhës u shty për një datë të pacaktuar.

Në këtë gjykim, Prokuroria pretendon se Gazmend Haliti me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, duke shkuar në vitin 2013 në Turqi, e nga aty në Siri ku edhe i është bashkuar grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, ai ka marrë pjesë në veprimtaritë e ISIS-it për disa muaj, duke luftuar me qëllim që ta frikësojë popullsinë dhe t’i shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë.

Aktakuza thotë se në shkurt të vitit 2014, Haliti ka shkuar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë dhe nga aty ka fluturuar për në Aeroportin “Rinas” të Tiranës, së bashku me bashkëluftëtarin e tij në ISIS, Betim Ibrahimaj.

Sipas aktakuzës, më 20 shkurt 2014, ata kanë hyrë me veturë në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Aktualisht, Haliti është i dënuar për terrorizëm së bashku me pesë të tjerë edhe në rastin e njohur si “Badovci”, rast ky të cilin Gjykata e Apelit këtë dhjetor e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Haliti u dënua me tri vjet e gjysmë burg.

Aktakuza i ngarkonte pesë të akuzuarit se në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Sipas Prokurorisë, ky grup ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Temat: