14:57 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

Gjendje e tmerrshme në Emergjencën e Ferizajt: S’ka maska, shampon, dizenfektues…

Kenan Ugzmajli, infermier në Emergjencën Primare në Ferizaj, ka alarmuar për gjendjen e mjerueshme që është aktualisht në këtë institucion shëndetësor.

Ugzmajli për IndeksOnline ka thënë se në emergjencë, pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme të virusit vdekjeprurës – koronavirusit, mungojnë maskat peshqirët, çarçafët, uji shamponi i duarve, dizenfektuesit e duarve.

Ai madje ka thënë se për shkak të mungesës së çarçafëve deri në 20 pacientë shtrihen të trajtohen në të njëjtin çarçaf.

“Në kujdestarin e natës së djeshme në Emergjencën Primare në Ferizaj pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme që mund të ndodhë për shkak të koronavirusit. Mungojnë gjërat elementare që duhet t’i posedojnë shërbimi shëndetësore: maskat, peshqirët, çarçafët, uji, shamponi i duarve, dezinfektuesit e duarve etj.

Kemi mungesë të çarçafëve, dhe 10 deri ne 20 pacientë shtrihen në të njëjtin çarçaf dhe kjo është e pa pranueshme edhe nga vete pacientët, dhe mund të barten viruse të ndryshme. Gjithashtu edhe mirëmbajtëset e neglizhojnë punën e tyre, duke mos i pastruar, tharë dhe hekurosur me kohë.

Ne tualete mungojnë letrat higjienike dhe çdo gjë tjetër që duhet ta kemi aty”, ka thënë ai.

Ugzmajli ka thënë se punëtorët shëndetësorë po ballafaqohen me gjithçka. E më së shumti me mungesë të ujit, të cilët rrezikohen të infektohen me ndonjë virus për shkak të papastërtisë.

“Në orën 00:00 gjithmonë ndalet uji dhe ne nuk mund t’i pastrojmë duart, gjithashtu sistemi i ujit nuk funksionon duke e bërë që doktori duhet të dalë nga dhoma e tij nëpërmjet pacientëve që t’i pastrojë duart te dhoma e infuzioneve, sepse është i vetmi rubinet funksional. Nuk kemi shampon e as peshqir për t’i larë duart edhe gjatë ditës kur kemi ujë.

E punëtoret shëndetësorë ballafaqohemi me gjithçka, si viruset dhe sëmundjet e tjera dhe është e pamundur të punojmë në kushte të tilla, pasi që mund të infektohemi apo të marrim ndonjë sëmundje pa asnjë arsye. Me këto kushte nuk do te mund të ballafaqohemi me koronavirusin (COVID-19). Dhe do te infektohemi edhe ne e gjithashtu ta bartim infeksionin edhe në shtëpitë tona.

Gjithmonë ka qenë gjendja e tille, por tani me rrezikun nga koronavirusi, shpresoj që gjendja jonë të ndryshojë”, ka shtuar ai.

Infermieri nga Ferizaj ka thënë se ende nuk është bërë ndonjë kërkesë nga Drejtori i kësaj emergjence në Drejtorinë e Shëndetësisë në Ferizaj për t’u pajisur me këto gjëra elementare./IndeksOnline/