75 Mall Live Search
15:00 / E Premte, 21 Qershor 2024 / S Z

Gjenerali amerikan i NATO’s në Serbi, Vuçiq e falënderon që “KFOR po i ruan serbët e Kosovës”

Gjenerali i Komandës Ajrore të NATO-s, James B. Hacker, i cili është edhe komandant i Forcave Ajrore të SHBA-së në Europë dhe Forcave Ajrore në Afrikë, ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka njoftuar Vuçiq në një postim në Instagram, temë e bisedës mes tyre ka qenë siguria e rajonit e në veçanti ajo në Kosovë.

“Një bisedë e mirë me gjeneralin Hecker, me të cilin diskutova për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht në Kosovë, si dhe aspektet gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit të partneritetit. Përsërita mirënjohjen time për forcat e KFOR-it, të cilat janë garantues i paqes dhe sigurisë së popullit tonë në Kosovë dhe shpreha kënaqësinë time për besimin reciprok dhe bashkëpunimin e mirë që po zhvillohet duke respektuar neutralitetin ushtarak të Serbisë. Gjithashtu diskutuam për forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes, i cili kontribuon në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar Vuçiq.