21:59 / E Premte, 10 Korrik 2020

Gjenocidi në Bosnje dhe Hercegovinë: Srebrenica – 25 vite pas

Shkruan: Mr. Fahredin Verbovci

Në njëzet e pesë vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë, që ndryshe njihet si gjenocid kundër myslimanëve të Bosnjës, në Srebrenicë janë vrarë e masakruar me tepër se tetë mijë persona – shumica burra dhe fëmijë. Për tërë këtë çerek-shekull që nga ngjarja, ende nuk ka një të vërtetë të plotë e të argumentuar se si erdhi dhe si lejoi bashkësia ndërkombëtare këtë krim kaq të madh e brutal ndaj mijërave njerëz të pafajshëm. Agjencitë e Inteligjencës Amerikane (CIA, NSA DIA) tashmë kanë de-klasifikuar dhe lëshuar për publik treqind e katërdhjetë e një dokumente (341), që sado pak të hidhet dritë mbi të vërtetën e gjenocidin serb në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të dihet se çfarë ka ndodhur me të vërtetë njëzet e pesë vite më parë.

Në bazë të këtyre dokumenteve të de-klasifikuara, është dëshmuar vërtetësia e gjenocidit serb por ajo që është cinike në tërë këtë, është se Srebrenica gjatë asaj kohe ka qenë nën mbrojtjen e trupave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse politikbërsit e fuqive të mëdha botërore të asaj kohe në deklaratat e tyre kanë theksuar se sulmi i ushtrisë serbe dhe paramilitareve serb (‘shkorpionëve’) ka ndodhur në befasi dhe nuk kanë pasur mundësi që ta parandalojnë, bazuar në dokumentet e de-klasifikuara të agjencive të inteligjencës, ngjarja tragjike përshkruhet ndryshe.

Para se shtetet anëtare të KS të KB-ve të vendosin  për dërgimin e trupave paqeruajtëse, në takimin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, u pat premtuar se në qoftë se ushtria serbe dhe forcat paramilitare sulmojnë, atëherë forcat paqeruajtëse të alenacës do të reagojnë dhe do ofrojnë mbështetje ajrore, por fatkeqësisht ky premtim nuk u mbajt.

Pse duhej të ndodhte gjenocidi në Srebrenicë?

Që të tri qytetet, Srebrenica, Zhepa dhe Gorazhda kanë qenë enklava të banuara me myslimanë të Bosnjës – territor i kontrolluar nga serbët. Këto enklava janë konsideruar zona të sigurta dhe në këto tri qytetet kanë qenë të instaluar trupat paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara.

Në mars të vitit 1993, Gjenerali i Ushtrisë Franceze Morillon, ka vizituar Srebrenicën me rrethinë dhe ju ka premtuar popullatës që do të jenë të mbrojtur nga ndonjë sulm eventual i ushtrisë serbe dhe paramilitarëve serb. Në fund të fjalimit të tij, gjenerali Francez e shpalli zonë të sigurt Srebrencicën dhe premtoi se do të jenë të sigurt që nga ajo ditë.

Mirëpo forcat ushtarake serbe në krye me kriminelin Mlladic, me të dëgjuar se këto zona janë shpallur të sigurta, filluan që të mobilizohen dhe i  njëjti publikisht dekleraoi se do t’i vras të gjithë myslimanet. Çuditërisht, edhe në mesin e politikbërësve të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, kishte të tillë që hezitonin dërgimin e trupave të shteteve të tyre në këtë zonë deri sa në takimin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesit anëtare të KS të KB u zotuan se në rast të cenimit të sigurisë në ato zona nga ushtria serbe, do të ketë intervenim dhe mbështetje me sulme nga ajri kundër forcave serbe.

Derisa forcat paramilitare serbe (‘shkorpion’) dhe ushtria serbe nga të gjitha anët filluan sulmin ndaj popullsisë myslimane në këto zona, mbështetja e trupave paqeruajtëse Holandeze nuk u ofrua (përkundrazi ushtarët Holandez u zunë rob) dhe si rrjedhojë, premtimi i dhënë nga Sekretari i Kombeve të Bashkuara nuk u mbajt, dhe si rezultat më shumë tetë mijë burra e fëmijë u vranë në këtë masakër, e cila konsiderohet si masakra më e madhe pas luftës së dytë botërore në tokën e  Evropës.

Edhe pas 25 viteve të gjenocidit serb në Bosnje, ka shumë pyetje, paqartësi e dilema: Si mund të ketë ndodhë kjo masakër me përmasa e pasoja të tmerrshme përderisa enklavat e banuara me myslimanë të Bosnjës atë kohë, ishin nën mbrojtjen e trupave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara? Pse ky gjenocid nuk u parandalua kur në bazë të dokumentacioneve të de-klasifikuara dëshmohet se fuqitë e mëdha të Këshillit të Sigurisë të KB kanë pasur informacione inteligjente nga terreni? Pse askush nuk intervenoi që të shpëtohen mijëra burra e fëmijë? Pse….?

Këto pyetje e shumë të tjera, asnjëherë nuk kanë marr përgjigje nga askush dhe po të njëjtat sot e asaj dite janë aktuale edhe nga ish Ministri i Mbrojtjes së Holandës zt. Joris Voorhoeve dhe zt. Ilijaz Pilar – doktori boshnjak i cili gjatë asaj periudhe kohore ka kryer mbi 2000 operacione pa anestezion për të shpëtuar jetë myslimaneve të mbijetuar nga masakra dhe gjenocidi serbe, pa një të vërtetë rreth kësaj tragjedie të tmerrshme.

Se kush ka kryer gjenocidin më të madh pas luftës së dytë botërore në tokën e Evropës tashmë dihet botërisht, mirëpo pa përgjigje sot e njëzetë e pesë vite mbetet se kush, kur,  dhe si është  planifikuar dhe lejuar që të ndodh gjenocidi në Bosnje. Ka shumë e shumë dilema sot e asaj dite, e madje ka edhe të tillë zëra se trupat paqeruajtës të Holandës kanë qenë viktimë e kësaj ngjarjeje nga ndonjë “fuqi” e madhe në Këshill të Sigurisë të KB-së.

Një gjë dihet: Asgjë nuk ndodhë rastësisht, asgjë nuk është ashtu siç duket dhe çdo gjë është e lidhur.

Autori i këtij artikulli ka qenë student i Master class në vitin 2017 në Dubrovnik i organizuar nga GeoffreyNice foundation  në bashkëpunim me Universiteti i Amsterdamit dhe International Center University Dubrovnik.

Mos i humb